Pas reagimeve të shumta për gjendjen në Pediatri, flet drejtori i Shërbimeve Tekniko-Administrative në QKUK: Po zëvendësohen shtretërit, së shpejti nis edhe rinovimi i reparteve

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka nisur zëvendësimin e shtretërve të dëmtuar në Klinikën e Pediatrisë, pas reagimeve publike për kushtet në këtë klinikë dhe denoncimit të një qytetareje që publikoi pamje nga objekti i vjetër. Drejtori i Shërbimeve Tekniko-Administrative në QKUK, Fisnik Dobra, bëri të ditur se gjatë së martës janë zëvendësuar shtatë…

Lajme

14/07/2026 14:37

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka nisur zëvendësimin e shtretërve të dëmtuar në Klinikën e Pediatrisë, pas reagimeve publike për kushtet në këtë klinikë dhe denoncimit të një qytetareje që publikoi pamje nga objekti i vjetër.

Drejtori i Shërbimeve Tekniko-Administrative në QKUK, Fisnik Dobra, bëri të ditur se gjatë së martës janë zëvendësuar shtatë shtretër, ndërsa edhe një tjetër pritet të ndërrohet gjatë ditës.

“Sot janë ndërruar shtatë shtretër, besoj gjatë ditës do të ndërrohen edhe një tjetër. Në Klinikën e Pediatrisë para disa ditëve janë rinovuar disa banjo, në repartet tjera, shumë shpejtë do të bëhet rinovimi edhe i pjesës në të cilën aludoni”, ka deklaruar Dobra për mediat, transmeton lajmi.net.

Ai gjithashtu njoftoi se Klinika e Pediatrisë pritet të furnizohet me rreth 50 artikuj të rinj, në mesin e të cilëve do të jenë edhe shtretër të rinj.

Veprimet e QKUK-së vijnë pasi një nënë ndau publikisht përvojën e saj gjatë qëndrimit me fëmijën në Klinikën e Pediatrisë, duke ngritur shqetësime për gjendjen e infrastrukturës dhe kushtet e trajtimit.

Një ditë më parë, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) kishte njoftuar se ka formuar një komision ad-hoc për të shqyrtuar masat administrative ndaj punonjësve shëndetësorë lidhur me rastin.

Zëvendësimi i shtretërve është ndër hapat e parë të ndërmarrë nga institucionet shëndetësore pas reagimeve publike për kushtet në Klinikën e Pediatrisë./lajmi.net/