Arianit Koci merr në mbrojtje nënën që denoncoi kushtet në Pediatri: Të mos ushtrohet asnjë presion ndaj saj
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se ka marrë përsipër përfaqësimin juridik të Aulona Memetit, qytetares e cila publikoi përvojën e saj lidhur me kushtet në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe më pas deklaroi se është përballur me presion nga zyrtarë të institucionit. Përmes një postimi në Facebook,…
Lajme
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se ka marrë përsipër përfaqësimin juridik të Aulona Memetit, qytetares e cila publikoi përvojën e saj lidhur me kushtet në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe më pas deklaroi se është përballur me presion nga zyrtarë të institucionit.
Përmes një postimi në Facebook, Koci tha se Memeti, si nënë e një djali dyvjeçar, kishte kërkuar që fëmija i saj të trajtohej me dinjitet dhe në kushte elementare gjatë qëndrimit në Klinikën e Pediatrisë, por sipas deklarimeve të saj kjo nuk kishte ndodhur.
“Si nënë e një djali dyvjeçar, Aulona Memeti ka kërkuar që fëmija i saj të trajtohej me dinjitet dhe në kushte elementare në Pediatrinë e QKUK-së. Sipas deklarimeve të saj, kjo nuk ka ndodhur. Për këtë arsye, vendosi ta ndajë publikisht përvojën e saj. Me reagimin janë bërë publike edhe fotografi. Ato paraqesin gjendjen e ambienteve në momentin kur djali i saj po trajtohej”, ka shkruar Koci.
Ai vlerësoi se rasti nuk duhet parë si një incident i izoluar, duke theksuar se shëndetësia publike në Kosovë prej vitesh përballet me probleme serioze.
“Ky rast nuk mund të shihet i shkëputur nga ai realitet. Kjo nuk do të thotë se përgjegjësia është kolektive. Përgjegjësia është gjithmonë individuale dhe duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve. Megjithatë, kur probleme të ngjashme përsëriten ndër vite, nuk mund të anashkalohet as përgjegjësia institucionale dhe strukturore”, ka shtuar ai.
Koci bëri të ditur se, në cilësinë e përfaqësuesit juridik të Aulona Memetit, do të angazhohet për mbrojtjen e plotë të të drejtave të saj dhe që ndaj saj të mos ushtrohet asnjë formë presioni pas publikimit të rastit. /Lajmi.net/