FSK-ja dhe Mbretëria e Bashkuar zotohen për thellimin e bashkëpunimit ushtarak

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin e FSK-së dhe situatën e sigurisë në vend e rajon. Në takim, ku mori pjesë edhe një delegacion britanik, gjeneral Jashari prezantoi progresin…

Lajme

14/07/2026 13:02

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin e FSK-së dhe situatën e sigurisë në vend e rajon.

Në takim, ku mori pjesë edhe një delegacion britanik, gjeneral Jashari prezantoi progresin e arritur nga FSK-ja, aktivitetet dhe operacionet në zhvillim, si dhe planet për avancimin e mëtejmë të kapaciteteve të saj, transmeton lajmi.net.

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka ofruar FSK-së përgjatë të gjitha fazave të zhvillimit, duke e cilësuar atë si një partner të rëndësishëm në procesin e ngritjes profesionale të forcës.

Gjatë bisedës u trajtua edhe gjendja aktuale e sigurisë në Kosovë, rajon dhe në nivel ndërkombëtar. Të dyja palët u dakorduan për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha si arsimi ushtarak, edukimi dhe zhvillimi profesional i personelit dhe liderëve të FSK-së, me synim forcimin e kapaciteteve operacionale dhe rritjen e nivelit të profesionalizmit.

Në fund të takimit, ambasadori britanik Jonathan Hargreaves vlerësoi lidershipin e gjeneral Bashkim Jasharit në drejtimin e proceseve zhvillimore të FSK-së, ndërsa u ritheksua përkushtimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në adresimin e sfidave të sigurisë./lajmi.net/