Komuna e Kaçanikut u bën thirrje bizneseve të pajisen me leje për aktivitetet jashtë orarit të punës
Komuna e Kaçanikut ka njoftuar të gjitha bizneset që operojnë në territorin e saj se për zhvillimin e aktiviteteve jashtë orarit të rregullt të punës gjatë sezonit veror, duhet të pajisen paraprakisht me leje të veçantë. Sipas njoftimit të Komunës, bizneset janë të obliguara që, përveç pajisjes me leje, të kryejnë edhe pagesën e taksës…
Lajme
Komuna e Kaçanikut ka njoftuar të gjitha bizneset që operojnë në territorin e saj se për zhvillimin e aktiviteteve jashtë orarit të rregullt të punës gjatë sezonit veror, duhet të pajisen paraprakisht me leje të veçantë.
Sipas njoftimit të Komunës, bizneset janë të obliguara që, përveç pajisjes me leje, të kryejnë edhe pagesën e taksës shtesë, në përputhje me Rregulloren për Përcaktimin e Orarit të Punës për Subjektet Afariste në territorin e Komunës së Kaçanikut, përkatësisht nenin 5 të saj.
“Bizneset që dëshirojnë të zhvillojnë aktivitet jashtë orarit të natës gjatë sezonit veror, janë të obliguara të pajisen paraprakisht me leje të veçantë dhe të kryejnë pagesën e taksës shtesë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kaçanikut.
Komuna ka bërë të ditur se Inspektorati do të zhvillojë kontrolle në terren për të verifikuar respektimin e rregullave, ndërsa bizneset që operojnë jashtë orarit të lejuar pa lejen përkatëse do të përballen me masa ndëshkuese.
“Çdo biznes që ushtron veprimtarinë jashtë orarit të lejuar pa qenë i pajisur me lejen përkatëse do t’i nënshtrohet masave ndëshkuese dhe gjobave, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi”, ka njoftuar Komuna.
Për informata shtesë rreth procedurës së pajisjes me leje, bizneset mund t’i drejtohen Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Kaçanikut.