Hamiti: Pezullimi i dialogut me SHBA-në dhe nisja e tij me Serbinë tregojnë ku ka përfunduar Kosova

Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi u bë e ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta nisin këtë javë dialogun strategjik me Serbinë, duke rikujtuar se një proces i tillë me Kosovën ishte pezulluar në shtator të vitit të kaluar. Përmes një postimi në Facebook, Hamiti tha se SHBA-ja…

Lajme

14/07/2026 12:05

Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi u bë e ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta nisin këtë javë dialogun strategjik me Serbinë, duke rikujtuar se një proces i tillë me Kosovën ishte pezulluar në shtator të vitit të kaluar.

Përmes një postimi në Facebook, Hamiti tha se SHBA-ja e kishte pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën në mesin e shtatorit 2025, ndërsa tashmë i njëjti mekanizëm bashkëpunimi po nis me Serbinë.

Ai rikujtoi edhe arsyet që, sipas Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, çuan në pezullimin e dialogut me Kosovën. Hamiti citoi deklaratën e ambasadës, ku thuhej se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën në prioritetet e përbashkëta. Po ashtu, në reagimin e atëhershëm thuhej se veprimet dhe deklaratat e kryeministrit në detyrë kishin krijuar sfida për progresin e arritur ndër vite në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Hamiti theksoi se në kohën kur dialogu strategjik u pezullua, presidente e Kosovës ishte Vjosa Osmani, ndërsa kryeministër Albin Kurti. Sipas tij, edhe sot vendi ndodhet në një situatë të ngjashme, me Kurtin që vazhdon të ushtrojë detyrën e kryeministrit në detyrë, ndërsa Albulena Haxhiu ushtron detyrën e presidentes.

Ai ngriti kritika edhe për mënyrën e funksionimit të institucioneve, duke pretenduar se Kurti po vazhdon ta mbajë njëkohësisht mandatin e deputetit dhe pozitën e kryeministrit në detyrë, gjë që, sipas tij, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Hamiti shtoi se gjatë viteve 2025-2026 Qeveria është drejtuar pa mbikëqyrje parlamentare.

Në fund të reagimit të tij, zyrtari i LDK-së tha se “në këtë derexhe ka rënë Kosova pas ardhjes në pushtet të koalicionit të Vetëvendosjes me moton ‘Krejt dhe drejt’ më 2021”, duke e konsideruar nisjen e dialogut strategjik SHBA–Serbi dhe pezullimin e atij me Kosovën si dëshmi të përkeqësimit të raporteve me aleatin kryesor të vendit. /Lajmi.net/