Vetëdorëzohet i dyshuari për plagosjen me armë zjarri në Pejë

Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit në mbrëmjen e 13 korrikut në rrugën “Mbreti Pirro” në Pejë, ndërsa i dyshuari është vetëdorëzuar në polici disa orë më vonë. Sipas Policisë, rasti është raportuar rreth orës 22:36. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur viktimën të plagosur…

Lajme

14/07/2026 08:56

Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit në mbrëmjen e 13 korrikut në rrugën “Mbreti Pirro” në Pejë, ndërsa i dyshuari është vetëdorëzuar në polici disa orë më vonë.

Sipas Policisë, rasti është raportuar rreth orës 22:36. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur viktimën të plagosur nga arma e zjarrit.

Fillimisht ai është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile, raporton lajmi.net

Pas incidentit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitet kompetente policore, drejtori rajonal dhe prokurori i shtetit, ndërsa hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në DRP-Pejë kanë nisur menjëherë veprimet për identifikimin dhe kapjen e tij.

Me autorizim të prokurorit është bastisur shtëpia e të dyshuarit, ku janë sekuestruar 73 fishekë të kalibrit 7.65 mm, 41 fishekë 9×19 mm dhe tre karikatorë.

Sipas Policisë, rreth orës 02:30 të datës 14 korrik, i dyshuari është vetëdorëzuar. Ai ka dorëzuar edhe dy armë zjarri, dy karikatorë dhe 15 fishekë, të cilat dyshohet se janë përdorur në kryerjen e veprës penale.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim./Lajmi.net/