Këshilltari i Vitisë për gjendjen në Pediatri: Nuk e kemi pasur dorën e hekurt, transformimi nis vitin e ardhshëm

Pas reagimeve të shumta publike për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ka reaguar Durim Elshani, këshilltar në kabinetin e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia. Reagimet erdhën pas publikimit të pamjeve nga qytetarja Aulonë Memeti, e cila kishte ndarë përvojën e saj gjatë trajtimit të fëmijës në këtë klinikë. Përmes një postimi…

Lajme

13/07/2026 20:09

Pas reagimeve të shumta publike për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ka reaguar Durim Elshani, këshilltar në kabinetin e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Reagimet erdhën pas publikimit të pamjeve nga qytetarja Aulonë Memeti, e cila kishte ndarë përvojën e saj gjatë trajtimit të fëmijës në këtë klinikë.

Përmes një postimi në Facebook, Elshani ka thënë se sistemi shëndetësor në Kosovë ka trashëguar probleme të shumta infrastrukturore dhe se ndërhyrjet janë orientuar fillimisht në njësitë ku nevojat kanë qenë më urgjente.

Megjithatë, ai ka pranuar se në disa fusha nuk është vepruar me intensitetin e duhur, duke përmendur veçanërisht kushtet bazike si higjiena dhe mirëmbajtja e ambienteve.

“Nuk po flas për tjera, sepse çështja e reagimit ka të bëjë edhe me çarçafa, edhe me letër banjoje. Pajtohem që standardi i një sistemi shëndetësor nuk matet vetëm me investime, aparatura apo ligje, por edhe me pastërtinë e një dhome, një shtrati, një tualeti, me një sapun që zëvendësohet kur harxhohet dhe me sjelljen e stafit ndaj pacientit. Në këtë pjesë nuk e kemi pasur dorën e hekurt”, ka shkruar Elshani.

Ai ka bërë të ditur se për Klinikën e Pediatrisë janë planifikuar ndërhyrje të reja, duke theksuar se transformimi i plotë i saj pritet të nisë vitin e ardhshëm.

Sipas tij, për këtë projekt janë ndarë 1 milion e 250 mijë euro, ndërsa aktualisht janë duke përfunduar punimet në renovimin e bodrumit dhe kuzhinës së klinikës.

Elshani ka njoftuar gjithashtu se, lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, janë suspenduar përkohësisht katër infermierë, deri në përfundimin e hetimit nga komisioni i formuar për këtë rast. /Lajmi.net/