Nuk i lejoi t’ia kontrollojnë bagazhin – Dogana inicion procedurë kundërvajtëse ndaj shtetasit të huajit, mund të gjobitet deri në tre mijë euro
Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një shtetasi të huaj, pasi ai nuk ka zbatuar urdhrin e ligjshëm të zyrtarit doganor gjatë kryerjes së kontrollit në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë. Gjatë ushtrimit të kontrolleve rutinë në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtari doganor ka ndaluar për kontroll një automjet me targa të shtetit…
Lajme
Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj një shtetasi të huaj, pasi ai nuk ka zbatuar urdhrin e ligjshëm të zyrtarit doganor gjatë kryerjes së kontrollit në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.
Gjatë ushtrimit të kontrolleve rutinë në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtari doganor ka ndaluar për kontroll një automjet me targa të shtetit fqinj. Në përputhje me procedurat doganore dhe kompetencat e përcaktuara me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, drejtuesi i automjetit është pyetur nëse posedonte mallra apo sende që duhej të deklaroheshin pranë autoriteteve doganore.
Drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar. Më pas, bazuar në analizën e kontrollit dhe kompetencat ligjore të zyrtarit doganor, atij i është kërkuar të hapë bagazhin e automjetit për kryerjen e kontrollit fizik. Megjithatë, drejtuesi ka refuzuar të zbatojë urdhrin e zyrtarit doganor dhe është larguar nga pika kufitare pa iu bindur urdhrit të dhënë.
Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të menjëhershëm ndërmjet Doganës së Kosovës dhe Policisë Kufitare të Kosovës, personi është identifikuar dhe ndaj tij është iniciuar procedurë për kundërvajtje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Dogana e Kosovës rikujton se zyrtarët doganorë, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, janë të autorizuar me ligj të ndalojnë, verifikojnë dhe kontrollojnë personat, automjetet, bagazhet dhe mallrat që hyjnë ose dalin nga territori doganor i Republikës së Kosovës. Mosrespektimi i urdhrave të ligjshëm të zyrtarëve doganorë përbën shkelje të dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave dhe ndëshkohet sipas ligjit. Në këtë rast zbatohen dispozitat e nenit 244, paragrafi 1, nënparagrafi 1.37 të Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, sipas të cilit kundërvajtje kryen personi që “nuk vepron sipas urdhrit të oficerit doganor të autorizuar ose nuk vepron brenda afatit të përcaktuar në urdhër”,ka njoftuar Dogana.
Ata kanë njoftuar se për këtë kundërvajtje, ligji parasheh shqiptimin e një gjobe prej 300 (treqind) euro deri në 3,000 (tremijë) euro, si për personat fizikë ashtu edhe për personat përgjegjës në personat juridikë.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, garantimin e sigurisë së kufijve, mbrojtjen e interesave fiskale të Republikës së Kosovës dhe sigurimin e respektimit të procedurave doganore nga të gjithë udhëtarët dhe operatorët ekonomikë. Njëkohësisht, Dogana u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe udhëtarëve që të respektojnë urdhrat e zyrtarëve doganorë dhe të bashkëpunojnë gjatë procedurave të kontrollit, në mënyrë që kalimi kufitar të zhvillohet në mënyrë të sigurt, efikase dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/