OEAK – deputetëve të rinj: Trajtoni me prioritet përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën e LNG-së, lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, i ka bërë thirrje deputetëve të ri të Kuvendit të Kosovës që menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, ta trajtojnë me prioritet dhe ta shqyrtësojnë seriozisht përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan. Ata kanë thënë se Kosova tani gjendet në një moment vendimtar për të…

Lajme

13/07/2026 09:41

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, i ka bërë thirrje deputetëve të ri të Kuvendit të Kosovës që menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, ta trajtojnë me prioritet dhe ta shqyrtësojnë seriozisht përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan.

Ata kanë thënë se Kosova tani gjendet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit të saj energjetik, dhe sipas tyre vendimet që do të merren gjatë muajve dhe viteve në vijim, do të përcaktojnë jo vetëm mënyrën e prodhimit të energjisë elektrike, por edhe nivelin e sigurisë energjetike, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe aftësinë e vendit për të përmbushur nevojat e një ekonomie në zhvillim.
“Për këtë arsye, diskutimi mbi orientimin e politikave energjetike nuk duhet të kufizohet në krahasimin e kostove fillestare të investimeve apo në opsionet e prezantuara deri më tani. Politikat moderne energjetike kërkojnë një vlerësim gjithëpërfshirës që merr në konsideratë shpejtësinë e realizimit të projekteve, sigurinë e furnizimit, mundësinë e sigurimit të financimit, ndikimin në konkurrueshmërinë e ekonomisë, fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të investimeve”, kanë thënë nga OEAK.
Ata kanë thënë se në rastin e Kosovës që vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetëruara gjeneruese dhe në importe të konsiderueshme të energjisë elektrike, koha e nevojshme për ndërtimin dhe vënien në funksion të kapaciteteve të reja prodhuese është një faktor me rëndësi strategjike.
Sipas OEAK, çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit.

“Në këtë kontekst, përfshirja e Kosovës në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane meriton një vlerësim të veçantë. Përveç se krijon mundësinë për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese brenda një afati relativisht të shkurtër, ajo ofron një bazë të qëndrueshme për diversifikimin e burimeve të energjisë, rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik dhe integrimin më efikas të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Po aq e rëndësishme është edhe mundësia për sigurimin e financimit, duke pasur parasysh orientimin e institucioneve financiare ndërkombëtare drejt projekteve që janë të realizueshme, të financueshme dhe të zbatueshme brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet mes tjerash në thirrjen e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për deputetët e legjislaturës së 11-të.

Ata kanë thënë se zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore nuk është vetëm çështje e prodhimit të energjisë elektrike, por sipas OEAK lidhet drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare, stabilitetin ekonomik, konkurrueshmërinë e sektorit privat dhe aftësinë e Kosovës për të ofruar një mjedis tërheqës për investime.
“Njëkohësisht, avancimi i kësaj agjende do të ishte në përputhje me orientimin strategjik të partnerit më të rëndësishëm të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me zhvillimet që po ndodhin në nivel rajonal dhe evropian për forcimin e sigurisë energjetike. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se institucionet e reja kanë mundësinë të ndërtojnë një politikë energjetike të bazuar në analiza profesionale dhe interesin afatgjatë të vendit. Për këtë arsye, Oda Amerikane u bën thirrje atyre që qasjen në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane ta trajtojnë me prioritet dhe ta vlerësojnë këtë mundësi si një investim strategjik në sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe të ardhmen e Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Lajmi.net/