Parandalohet futja e sendeve të kundërligjshme në Burgun e Dubravës, sekuestrohen telefona dhe substancë e dyshuar

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se është parandaluar një tentim për futjen e sendeve të kundërligjshme në Qendrën Korrektuese të Dubravës. Sipas njoftimit, aksioni është realizuar pas informacioneve të siguruara nga Njësia e Inteligjencës Korrektuese (NJIK), e cila në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë së Qendrës Korrektuese të Dubravës dhe institucionet e tjera…

Lajme

12/07/2026 12:40

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se është parandaluar një tentim për futjen e sendeve të kundërligjshme në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Sipas njoftimit, aksioni është realizuar pas informacioneve të siguruara nga Njësia e Inteligjencës Korrektuese (NJIK), e cila në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë së Qendrës Korrektuese të Dubravës dhe institucionet e tjera të sigurisë ka zhvilluar një bastisje të planifikuar.

“Gjatë bastisjes, zyrtarët korrektues gjetën dhe sekuestruan gjashtë telefona mobilë dhe rreth 480 gram substancë të dyshuar”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale dhe ka sekuestruar materialet e gjetura.

Ndërkaq, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se ka iniciuar edhe hetime të brendshme për rastin.

SHKK thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe në forcimin e sigurisë në të gjitha institucionet korrektuese të vendit. /Lajmi.net/