ATK: Në periudhën janar-qershor 2026 u mblodhën më shumë të hyra se në vitet 2025 dhe 2024

Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje prej 14 për qind të të hyrave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka shtuar edhe numrin e kontrolleve, vizitave në terren dhe rasteve të evidentuara të evazionit fiskal. Kështu bëri të ditur drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor…

Lajme

10/07/2026 17:31

Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje prej 14 për qind të të hyrave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka shtuar edhe numrin e kontrolleve, vizitave në terren dhe rasteve të evidentuara të evazionit fiskal.

Kështu bëri të ditur drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor për vitin 2026, të premten në Prishtinë.

Sipas tij, rritja e të hyrave në këtë periudhë ka tejkaluar rezultatet e të njëjtës periudhë kohore edhe për vitet 2025 e 2024, ndërsa tatimi mbi vlerën e shtuar përbën mbi 37 për qind të të hyrave tatimore.

Në bazë të të dhënave të prezantuara nga Hyseni, numri i kontrolleve është rritur për 35.7 për qind, ndërsa evidentimi i evazionit fiskal është dyfishuar. Po ashtu, sipas tij, vizitat në terren janë rritur nga 11 mijë e 900 në rreth 16 mijë.

“Në 2026 në këtë gjashtë mujor kemi një rritje prej 14 për qind që tejkalon dy vitet paraprake. Nëse e shohim ka përbërja, në pjesën e TVSH-së e kemi mbi 37 për qind që është pjesa e të hyrave tatimore, nëse shohim historinë e saj për 2024-2025 kemi një rritje prej 16 për qind ndërsa 2025-26 kemi 11 për qind, parashihet një rënie e TVSH-së krahasim me vitet paraprake.. 10 punëtorë na kanë dalë në pension në këtë gjashtë mujorin e parë, por megjithatë me këtë mungesë të punëtorëve, ne kemi arritur ta rrisim numrin e kontrolleve për 37 për qind në krahasim me vitin paraprak, 35.7 për qind është rritur numri i kontrolleve”, ka deklaruar ai. “Rezultatet nuk tregojnë që ka pasur vetëm rritje efektive të numrit. Me rritjen prej 35.7 për qind të kontrolleve kemi rritur 100 për qind pjesën e evazionit fiskal që e kemi gjetur. Kjo nuk ka shënuar vetëm efikasitet në rritje të numrit të kontrolleve, por edhe efektivitet në mënyrën se si janë kontrolluar bizneset. E njëjta dinamikë tregohet tek rezultatet e vizitave. Numri tyre është prej 36.97 për qind krahasuar me vitin paraprak sa kanë qenë 11 mijë e 900 tash janë 16 mijë vizita në terren”.

Sipas Hysenit, masat ndëshkuese ndaj tatimpaguesve kanë shënuar rënie, nga 2 mijë e 700, në 2 mijë e 500.