Videoincizimi i paraqitur në fund të procesit rikthen në rigjykim rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

Gjykata ka vendosur të rihapë gjykimin në rastin e trefishtë të vrasjes në Gllogjan, pasi Prokuroria paraqiti një videoincizim si provë të re vetëm gjatë fjalës përfundimtare. Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Leon Perlaska, i cili vlerësoi se prova e re dhe dokumentacioni përcjellës duhet të shqyrtohen në kuadër të një…

Lajme

10/07/2026 16:16

Gjykata ka vendosur të rihapë gjykimin në rastin e trefishtë të vrasjes në Gllogjan, pasi Prokuroria paraqiti një videoincizim si provë të re vetëm gjatë fjalës përfundimtare.

Vendimi u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Leon Perlaska, i cili vlerësoi se prova e re dhe dokumentacioni përcjellës duhet të shqyrtohen në kuadër të një procesi të rihapur gjyqësor.

Sipas gjykatës, videoincizimi paraqet njërin nga të akuzuarit, Kreshnik Mehmetaj, duke gjuajtur me armë në bjeshkë, ndërsa Prokuroria pretendon se bëhet fjalë për të njëjtën armë që është përdorur në krimin e ndodhur në Gllogjan në vitin 2021, ku mbetën të vrarë tre persona, transmeton lajmi.net.

“Arsyeja pse kjo Gjykatë ka vendosur për rishqyrtim është se Prokuroria e Shtetit, në fjalën përfundimtare të saj, duke e trajtuar videoincizimin ku shihet Kreshnik Mehmetaj duke gjuajtur me armë në bjeshkë, incizim i cili është paraqitur para kësaj Gjykate, ka paraqitur pretendimin se arma që shihet në video është arma e përdorur për kryerjen e krimit. Ky pretendim është paraqitur formalisht nga Prokuroria në fjalën përfundimtare”, thuhet në vendimin e trupit gjykues të udhëhequr nga Leon Perlaska.

Gjykata ka konstatuar gjithashtu se gjatë fazës së hetimeve ishte kryer kontroll në vendin ku ishte realizuar videoincizimi, ndërsa ishin sekuestruar gëzhoja dhe një fishek që ishin dërguar për ekspertizë balistike. Megjithatë, raporti përkatës nuk ishte propozuar më herët nga Prokuroria si provë në proces.

“Në anën tjetër, trupi gjykues, pas këshillimit dhe analizimit të të gjitha shkresave të lëndës, ka gjetur se gjatë fazës së hetimeve, Policia kishte kontrolluar pikërisht vendin në bjeshkë ku i pandehuri Kreshnik Mehmetaj shihet duke gjuajtur me armë. Gjatë këtij kontrolli, në bjeshkë janë gjetur 13 gëzhoja dhe një fishek, për të cilat ishte urdhëruar ekzaminimi balistik. Në shkresat e lëndës gjendet raporti i ekspertizës me numër AKP 2022 2700/2022-2627, të datës 27.07.2022, mirëpo ky raport nuk ishte propozuar nga Prokuroria për administrim si provë. Andaj, Gjykata ka vlerësuar se ky raport, së bashku me dokumentacionin përcjellës, duhet të administrohet gjatë gjykimit të rihapur”, tha Perlaska.

Lidhur me vendimin e gjykatës, prokurorja e rastit, Sahide Gashi, nuk dha sqarime të hollësishme para mediave, duke thënë se qëndrimin e saj do ta paraqesë në seancë.

“Për çështjen që e ka ngritur gjykata, gjithçka që kam për të thënë do ta them në gjykatë”, ka thënë Gashi.

E pyetur nga gazetarët se përse videoincizimi ishte paraqitur vetëm në fazën përfundimtare të procesit, ajo u përgjigj shkurt se nuk pajtohet me këtë vlerësim./lajmi.net/