Dogana e Kosovës inkason mbi 1 miliard euro, shënon rritje prej 5.5 për qind

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka tejkaluar shifrën e 1 miliard eurove të hyra të inkasuara, duke regjistruar një rekord të ri në të hyrat buxhetore. Sipas njoftimit, deri më sot janë inkasuar 1 miliard e 7 milionë euro, që paraqet një rritje prej 5.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë…

Lajme

10/07/2026 16:10

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka tejkaluar shifrën e 1 miliard eurove të hyra të inkasuara, duke regjistruar një rekord të ri në të hyrat buxhetore.

Sipas njoftimit, deri më sot janë inkasuar 1 miliard e 7 milionë euro, që paraqet një rritje prej 5.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur të hyrat kishin arritur në 955 milionë euro, transmeton lajmi.net.

Dogana vlerëson se ky rezultat është arritur falë performancës së qëndrueshme ekonomike, bashkëpunimit me sektorin privat, respektimit të obligimeve ligjore nga bizneset, si dhe rritjes së efikasitetit në luftimin e ekonomisë joformale dhe lehtësimit të procedurave tregtare.

Një nga zhvillimet kryesore të këtij viti, sipas Doganës, është zbatimi i sistemit të deklarimit para arritjes së mallrave, i mundësuar pas shtetëzimit të plotë të terminaleve doganore dhe heqjes së pagesave për shfrytëzimin e tyre.

Ky ndryshim, i cili për vite me radhë ishte evidentuar si sfidë në Raportin e Progresit, sipas Doganës tashmë ka dhënë rezultate pozitive dhe është mirëpritur nga komuniteti i biznesit.

Dogana e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë investimet dhe përpjekjet për rritjen e mëtejshme të kapaciteteve operative dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj bizneseve dhe qytetarëve.

Njoftimi i plotë:
Dogana e Kosovës shënon rekord: Inkason mbi 1 miliard € të hyra
Dogana e Kosovës ka arritur të inkasojë deri më sot 1 miliard e 7 milionë € të hyra, duke shënuar një rritje prej 5.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin inkasuar të hyra në lartesi prej 955 milionë €.
Ky sukses është rezultat i disa faktorëve kyç:
• Performanca e qëndrueshme ekonomike dhe bashkëpunimi i ngushtë me sektorin privat;
• Përmbushja ligjore nga ana e komunitetit të biznesit;
• Rritja e efikasitetit në luftimin e ekonomisë joformale dhe krijimi i lehtësirave tregtare;
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të këtij viti është aplikimi i deklarimit para arritjes së mallrave. Ky hap vjen pas shtetëzimit të plotë të terminaleve Doganore sipas vendimit te Kryeministrit, si dhe heqjes së pagesave për to—një sfidë kjo e adresuar për vite me radhë në Raportin e Progresit, e cila sfide vitin e kaluar u vlerësua si e tejkaluar. Rezultatet e para të këtij sistemi janë mjaft pozitive dhe janë mirëpritur lart nga komuniteti i tregtarëve.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në vazhdimin e përpjekjeve për avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj operative./lajmi.net/