Haxhiu dekoron kolonelin amerikan A.J. Berg, Ambasada e SHBA-së: Mirënjohës për këtë vlerësim dhe partneritetin e vazhdueshëm

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar sot me Medaljen Presidenciale Ushtarake kolonelin amerikan A.J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu bëri të ditur se dekorata…

Lajme

10/07/2026 15:16

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar sot me Medaljen Presidenciale Ushtarake kolonelin amerikan A.J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu bëri të ditur se dekorata iu nda kolonelit Berg në përfundim të mandatit të tij si atashe i Mbrojtjes i SHBA-së në Kosovë.

“Sot pata kënaqësinë ta dekoroj me Medaljen Presidenciale Ushtarake Kolonelin A. J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në përfundim të mandatit të tij si Atashe i Mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, e falënderova për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së, avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve tona”, ka shkruar Haxhiu.

Për dekorimin ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, e cila e ka cilësuar vlerësimin si një nder për kolonelin Berg dhe ekipin e tij.

“Jemi të nderuar që Atasheu ynë i Mbrojtjes, koloneli A.J. Berg, u vlerësua për shërbimin e tij në Kosovë dhe për kontributin e ekipit të tij në bashkëpunimin e mbrojtjes ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës. Jemi mirënjohës për këtë vlerësim të veçantë dhe për partneritetin e vazhdueshëm”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.