AAK refuzoi takimin, PDK mbetet në opozitë: Kurti i kthen sytë nga LDK-ja

Takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk ka prodhuar ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja, ndërsa tash fokusi i Kurtit është te takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Kurti dhe Hamza zhvilluan një takim konsultativ, të cilin të…

Lajme

10/07/2026 13:20

Takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk ka prodhuar ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja, ndërsa tash fokusi i Kurtit është te takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kurti dhe Hamza zhvilluan një takim konsultativ, të cilin të dy e vlerësuan si korrekt dhe konstruktiv, por PDK-ja bëri të qartë se qëndrimi i saj është që të jetë në opozitë, transmeton lajmi.net.

Hamza deklaroi se partia e tij nuk ka vija të kuqe për bashkëpunim institucional, por se në këtë mandat synon të veprojë nga opozita.

“Bazuar në bisedat dhe diskutimet që i kemi pasu, normalisht korrekte, është që PDK në këtë mandat të jetë në opozitë dhe ne ju dëshirojmë sukses z.Kurti dhe gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione”, tha Hamza.

Ai shtoi se në Kuvend ekzistojnë mundësi matematikore për krijimin e institucioneve, pasi përveç PDK-së janë edhe deputetët e subjekteve të tjera politike.

Pas takimit, Kurti tha se me Hamzën pati një diskutim të parë në këtë raund konsultimesh dhe se, megjithëse nuk ka rezultat konkret, ekziston vullnet për të vazhduar bisedimet.

“Aktualisht s ‘mund të them se kemi rezultat konkret apo të arritur që do të’ mund ta ndaja me publikun, por duhet theksuar se me Hamzën jam takuar dy herë gjatë dimrit dy herë e asnjëherë në pranvera dhe ky ishte takimi i parë në këtë verë e uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të mbizotërojë enë përputhje me afatet kushtetuese ti konstituojmë institucionet e vendit t’i japim edhe kryetar kuvendit, edhe qeveri edhe kryeministër edhe po ashtu president të ri”, deklaroi Kurti.

Pas PDK-së, Kurti pritet të zhvillojë takim me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, në orën 18:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Pikërisht te ky takim duket se është orientuar pjesa më e madhe e pritjeve për një marrëveshje të mundshme politike, pasi LDK-ja është njëra prej partive kryesore që mund të ndikojë në krijimin e kuorumit dhe zgjedhjen e institucioneve.

Kurti ka thënë se Vetëvendosja ka numër të mjaftueshëm deputetësh dhe se së bashku me LDK-në e PDK-në arrijnë në 93 deputetë.

“Ne kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve që të konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të. Për bindjen time ky numri 93 është mëse i mjaftueshëm, ndërsa në anën tjetër e dini se nuk është aspak e sigurtë nëse konsiderojmë që numri prej 80 apo 81 garanton kuorumin e nevojshëm. Siç e kemi thënë më herët se është e nevojshme për 84 apo 85 për të qenë të sigurtë për rrugën përpara”, tha Kurti.

Ndërkohë, ai ka kritikuar vendimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, për të mos pranuar takim me të.

Kurti tha se mungesa e takimit me AAK-në ka ndikuar edhe në llogaritjen e numrave të deputetëve.

“Unë kur i mblodha numrat e deputetëve, nuk thash edhe plus 7 për shkak se kryetari i AAK-së nuk e ka konsideruar të nevojshme që të takohet me mua, unë besoj se është e rëndësishme të takohet me mua VV është fituese e zgjedhjeve, ne edhe nëse s’do jemi bashkë në qeveri do jemi bashkë në institucione”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, Gjini ka bërë të ditur se AAK-ja është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve, por ka vendosur gjashtë kushte, që lidhen me energjinë, ekonominë, bujqësinë, infrastrukturën dhe investimet për Prishtinën.

Ai ka theksuar se partia e tij nuk e kushtëzon procesin me postin e presidentit, ndonëse ka deklaruar se Ramush Haradinaj do të ishte zgjedhja më e mirë sipas tyre.

Tash, pas takimit me PDK-në dhe refuzimit të AAK-së, vëmendja politike zhvendoset te takimi Kurti–Abdixhiku, ku pritet të shihet nëse LDK-ja do të jetë ura e mundshme për një zgjidhje që do t’i hapte rrugë konstituimit të institucioneve të reja./lajmi.net/