​ATK thotë se në janar-qershor 2026 mbodhi më tepër para se më 2025 e më 2024

Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje prej 14 për qind të të hyrave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka shtuar edhe numrin e kontrolleve, vizitave në terren dhe rasteve të evidentuara të evazionit fiskal. Kështu bëri të ditur drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor…

Lajme

10/07/2026 12:29

Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje prej 14 për qind të të hyrave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka shtuar edhe numrin e kontrolleve, vizitave në terren dhe rasteve të evidentuara të evazionit fiskal.

Kështu bëri të ditur drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor për vitin 2026, të premten në Prishtinë.

Sipas tij, rritja e të hyrave në këtë periudhë ka tejkaluar rezultatet e të njëjtës periudhë kohore edhe për vitet 2025 e 2024, ndërsa tatimi mbi vlerën e shtuar përbën mbi 37 për qind të të hyrave tatimore.

Në bazë të të dhënave të prezantuara nga Hyseni, numri i kontrolleve është rritur për 35.7 për qind, ndërsa evidentimi i evazionit fiskal është dyfishuar. Po ashtu, sipas tij, vizitat në terren janë rritur nga 11 mijë e 900 në rreth 16 mijë.

“Në 2026 në këtë gjashtë mujor kemi një rritje prej 14 për qind që tejkalon dy vitet paraprake. Nëse e shohim ka përbërja, në pjesën e TVSH-së e kemi mbi 37 për qind që është pjesa e të hyrave tatimore, nëse shohim historinë e saj për 2024-2025 kemi një rritje prej 16 për qind ndërsa 2025-26 kemi 11 për qind, parashihet një rënie e TVSH-së krahasim me vitet paraprake.. 10 punëtorë na kanë dalë në pension në këtë gjashtë mujorin e parë, por megjithatë me këtë mungesë të punëtorëve, ne kemi arritur ta rrisim numrin e kontrolleve për 37 për qind në krahasim me vitin paraprak, 35.7 për qind është rritur numri i kontrolleve. Rezultatet nuk tregojnë që ka pasur vetëm rritje efektive të numrit. Me rritjen prej 35.7 për qind të kontrolleve kemi rritur 100 për qind pjesën e evazionit fiskal që e kemi gjetur. Kjo nuk ka shënuar vetëm efikasitet në rritje të numrit të kontrolleve, por edhe efektivitet në mënyrën se si janë kontrolluar bizneset. E njëjta dinamikë tregohet tek rezultatet e vizitave. Numri tyre është prej 36.97 për qind krahasuar me vitin paraprak sa kanë qenë 11 mijë e 900 tash janë 16 mijë vizita në terren”, tha Hyseni.

Ndërkohë, masat ndëshkuese ndaj tatimpaguesve kanë shënuar rënie, nga 2 mijë e 700, në 2 mijë e 500.

Hyseni tha se menaxhimi dhe mbledhja e borxheve vazhdon të jetë një prej sfidave kryesore për ATK-në. Sipas tij, decentralizimi i mbledhjes së borxheve në dhjetë regjione ka ndikuar që numri i marrëveshjeve të trajtuara të rritet nga 1 mijë e 300, në 2 mijë e 300.

“Masat ndëshkuese ndaj tatimpaguesve kanë shënuar rënie, nëse e shohim me numër prej 2 mijë e 700 kanë ra në 2 mijë e 500.. Pjesa e borxheve ka qenë pjesa më sfiduese e ATK. Fondi monetar ndërkombëtarë ka bërë një strategji për koncentrim të mbledhjes së borxheve, mirëpo ne e kemi pa që nuk ka funksionuar. Të gjithë mbledhjen e borxheve i kemi decentralizuar dhe dërgu në 10 regjione. Nëse shohim numrin e marrëveshjes sa janë trajtuar, prej një mijë e 300 marrëveshje në 2 mijë e 300”, tha ai.

Hyseni foli edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional të ATK-së me Doganën, Policinë dhe Prokurorinë, duke veçuar operacionin e javës së kaluar lidhur me sektorin e derivateve, ndërsa tha që në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 është shtuar edhe numri i denoncimeve të bëra në platformën online të krijuar për këtë gjë

“Përveç aktiviteteve të ATK brenda kemi edhe aktivitete në institucione tjera si Dogana, Policia e Kosovës, Prokuroria. Aktivitetin e fundit që kemi pasur ka qenë operacioni për derivate, kanë qenë kryesisht të ndara në dy plane operative. 12 njësi në planin penal kanë qenë të organizuar, 48 zyrtarë të angazhuar, 26 inspektorë dhe 22 inspektorë të tjerë tatimorë prej regjioneve të ndryshme. 30 pika të shitjes së derivateve janë kontrolluar dhe janë mbledhur provat që do na shërbejnë neve. Tek pjesa e denoncimeve diku 48 përqind ka rritje. 1 mijë e 759 denoncime, 1 mijë e 300 aktivitete të organizuara, 219 denoncime në proces, 234 denoncime të refuzuara”, tha Hyseni.