Punëtorët e RTK-së paralajmërojnë protestë: Kërkojnë paga dhe përgjegjësi nga Bordi e Menaxhmenti

Federata Sindikale e RTK-së dhe Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) kanë paralajmëruar protestë të hënën para objektit të transmetuesit publik, për shkak të vonesës në ekzekutimin e pagave. Në njoftimin e tyre, sindikatat kanë bërë të ditur se ka kaluar çdo afat për pritje dhe se punëtorët tashmë kanë hyrë në ditën…

Lajme

10/07/2026 11:47

Federata Sindikale e RTK-së dhe Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) kanë paralajmëruar protestë të hënën para objektit të transmetuesit publik, për shkak të vonesës në ekzekutimin e pagave.

Në njoftimin e tyre, sindikatat kanë bërë të ditur se ka kaluar çdo afat për pritje dhe se punëtorët tashmë kanë hyrë në ditën e 10-të pa paga të rregullta, transmeton lajmi.net.

Sipas tyre, pas një takimi urgjent me ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, është kërkuar alokimi i menjëhershëm i mjeteve, ndërsa është vendosur që, nëse pagat nuk ekzekutohen, protestat të nisin të hënën, më 13 korrik, në orën 11:30, para objektit të RTK-së.

Sindikatat kanë kërkuar përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, duke i akuzuar për dështim në menaxhimin e situatës dhe për përsëritje të krizave me pagat.

“Paga nuk është privilegj, por është një e drejtë elementare dhe ligjore që po u mohohet punëtorëve të RTK-së”, thuhet në njoftim.

Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK kanë paralajmëruar se, përveç protestave, do të kërkojnë edhe llogaridhënie ligjore dhe morale nga përgjegjësit për gjendjen e krijuar.

Ata kanë bërë thirrje për unitet të punëtorëve të RTK-së, duke theksuar se situata aktuale po cenon mirëqenien e qindra familjeve.

Komunikata e plotë:

Të hënën në ora 11:30 protestë – Kërkohet përgjegjësi nga Bordit dhe Menaxhmenti pse punëtorët janë pa paga.

Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK njoftojnë të gjithë punonjësit dhe opinionin publik se ka përfunduar çdo mundësi për pritje. Sot shënohet dita e 10-të pa ekzekutimin e pagave tona të rregullta në transmetuesin publik.

Pas takimit urgjent të zhvilluar me U.D. Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, u kërkua alokimi i menjëhershëm i mjeteve, Sindikatat vendosin këtë ultimatum të prerë: Nëse pagat nuk alokohen në llogaritë e punëtorëve gjatë ditës së sotme, nga dita e hënë do të fillojmë me protesta.

Të hënën, më 13 Korrik 2026, në ora 11:30, ftojmë të gjithë punëtorët pa dallim që të bashkohen në protestë para objektit të RTK-së- TV. Duhet ta bëjmë të qartë se paga nuk është privilegj, por është një e drejtë elementare dhe ligjore që po u mohohet punëtorëve të RTK-së.

Nuk ka më hapësirë për premtime apo arsyetime burokratike që rrezikojnë mirëqenien e qindra familjeve. Përveç bllokimit të procesit të punës, Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK nga e hëna do të kërkojë llogaridhënie të plotë ligjore dhe morale.

Këto dy organe të RTK-së po luajnë normalitetin ndonëse situata aspak nuk është normale.

Kjo papërgjegjshmëri është duke u përsëritur, ndonëse ligji i obligon edhe Bordin edhe Menaxhementin  të sigurojnë funksionim normal të RTK-së.

Bordi dhe Menaxhmenti kanë treguar dështim total, paaftësi operative dhe shkelje të drejtave elementare. Rikujtojmë se ky nuk është lëshimi i tyre i parë; të njëjtit (Bordi) dhe menaxhmenti, janë përgjegjës që i lanë punëtorët pa paga edhe gjatë muajve të kaluar. Përsëritja e këtyre krizave tregon qartë se këta zyrtarë janë tërësisht të paaftë për ta ushtruar këtë veprimtari dhe për të udhëhequr transmetuesin publik.

Gjendja ekonomike e kolegëve tanë nuk pret më. Ftojmë të gjithë punëtorët e RTK-së që të qëndrojnë të bashkuar dhe të gatshëm për të mbrojtur dinjitetin dhe djersën tonë.

Me respekt,

Federata Sindikale e RTK-së, SPERTK./lajmi.net/