Nesër merret vendimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm

Gjykata Themelore në Pejë pritet të shpallë nesër aktgjykimin në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, një nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit në Kosovë. Në bankën e të akuzuarve janë Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët akuzohen për sulmin e armatosur ndaj një autobusi më 26…

Lajme

09/07/2026 23:02

Gjykata Themelore në Pejë pritet të shpallë nesër aktgjykimin në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, një nga ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit në Kosovë.

Në bankën e të akuzuarve janë Halil Mehmetaj, Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët akuzohen për sulmin e armatosur ndaj një autobusi më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan të Deçanit, transmeton lajmi.net.

Si pasojë e sulmit humbën jetën shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, si dhe dy nxënës 17-vjeçarë, Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj, ndërsa një pasagjer tjetër mbeti i plagosur.

Në seancën e fundit, Prokuroria kërkoi që tre të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim të përjetshëm, duke argumentuar se provat e paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor dëshmojnë përfshirjen e tyre në kryerjen e veprës penale.

Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe pala e dëmtuar, e cila kërkoi që Gjykata të shqiptojë dënimin maksimal ndaj të akuzuarve.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar të mbahet nesër, duke filluar nga ora 14:30./lajmi.net/