Kryesia Qendrore e LDK-së i jep mbështetje të fuqishme Lumir Abdixhikut për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë
Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shprehur mbështetje të plotë për kryetarin Lumir Abdixhiku, duke i besuar vazhdimin e udhëheqjes së proceseve politike dhe organizative të partisë, si dhe angazhimin në bisedimet për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. Pas mbledhjes së mbajtur sot, LDK vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve solli rritje…
Lajme
Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shprehur mbështetje të plotë për kryetarin Lumir Abdixhiku, duke i besuar vazhdimin e udhëheqjes së proceseve politike dhe organizative të partisë, si dhe angazhimin në bisedimet për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Pas mbledhjes së mbajtur sot, LDK vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve solli rritje për partinë, por theksoi se ai nuk i përmbushi objektivat politike të vendosura, transmeton lajmi.net.
“Kryesia Qendrore vlerëson se rezultati zgjedhor, ndonëse shënon rritje të LDK-së, nuk përmbush synimet dhe pritjet tona politike. Prandaj, përgjegjësia për të vazhduar punën, për të adresuar mangësitë dhe për ta shndërruar këtë rritje në besim edhe më të gjerë qytetar, është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha niveleve drejtuese dhe organizative të partisë”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë, Kryesia riafirmoi mbështetjen për Abdixhikun.
“Kryesia Qendrore shpreh mbështetjen e plotë për Kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në ushtrimin e mandatit për udhëheqjen e proceseve politike e organizative të partisë; si dhe procesin e formimit të institucioneve të Republikës nëpërmjet diskutimeve me partitë e tjera parlamentare”, theksohet në komunikatë.
Sa i përket zhvillimeve të brendshme, LDK bëri të qartë se zgjedhjet për strukturat drejtuese do të mbahen në afatet e parapara me Statut, duke theksuar se vendimmarrja duhet të zhvillohet përmes mekanizmave partiakë dhe në përputhje me vullnetin e anëtarësisë.
Në përfundim, Kryesia u bëri thirrje anëtarëve dhe strukturave të partisë të përqendrohen në forcimin e LDK-së dhe rritjen e besimit qytetar, duke theksuar se uniteti mbetet thelbësor për përmbushjen e objektivave politike të partisë.