Konjufca takohet me zëvendësministrin italian, në fokus marrëdhëniet Kosovë-Itali dhe integrimi i Kosovës në BE e NATO
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Edmondo Cirielli. MPJD ka thënë se në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, procesin e integrimit të Kosovës në…
Lajme
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Edmondo Cirielli.
MPJD ka thënë se në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe anëtarësimin në NATO, si dhe për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, përfshirë procesin e formimit të qeverisë së re.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, me theks në nevojën për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, rritjen e ndërveprimit ekonomik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do ta thellonin më tej partneritetin Kosovë-Itali. Zëvendëskryeministri Konjufca e falënderoi Zëvendësministrin Cirielli për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar se Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës në sferën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
MPJD ka thënë se takimi është zhvilluar në frymë miqësore dhe konstruktive, si dëshmi e marrëdhënieve të afërta ndërmjet dy vendeve.
“Kosova mbetet e përkushtuar për intensifikimin e bashkëpunimit me Italinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: