Vdes ikona e muzikës së viteve ’80

Bonnie Tyler, këngëtarja nga Uellsi, zëri i ngjirur, por i fuqishëm, i së cilës i shndërroi këngë si Total Eclipse of the Heart në klasike të viteve ’80, ka vdekur në moshën 75-vjeçare. Në një njoftim të publikuar në faqen e saj në Facebook thuhet: “Familja dhe ekipi i Bonnie-t janë të pikëlluar të njoftojnë…

ShowBiz

09/07/2026 12:54

Bonnie Tyler, këngëtarja nga Uellsi, zëri i ngjirur, por i fuqishëm, i së cilës i shndërroi këngë si Total Eclipse of the Heart në klasike të viteve ’80, ka vdekur në moshën 75-vjeçare.

Në një njoftim të publikuar në faqen e saj në Facebook thuhet: “Familja dhe ekipi i Bonnie-t janë të pikëlluar të njoftojnë se Bonnie ndërroi jetë papritur mbrëmë në një spital në Portugali, si pasojë e sëmundjes për të cilën po trajtohej”.

Në muajin maj, Tyler iu nënshtrua një operacioni urgjent në zorrë në një spital pranë Faros, në Portugali, ku jetonte. Më pas ajo u vendos në një gjendje kome të induktuar për t’i ndihmuar mjekët në procesin e rikuperimit. Më vonë u zgjua nga koma, por përfaqësuesi i saj bëri të ditur se ajo mbetej “në gjendje shumë të rëndë dhe në kujdes intensiv”.

Image

Përveç hitit të vitit 1983, Total Eclipse of the Heart, i cili arriti vendin e parë në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe konsiderohet nga shumë si një prej baladave më të mëdha të të gjitha kohërave, Tyler pati sukses edhe me këngët Holding Out for a Hero, e cila u bë pjesë e kolonës zanore të filmit Footloose dhe arriti vendin e dytë në top-listat britanike në vitin 1984, si dhe me It’s a Heartache, që i solli suksesin e parë të madh në vitin 1977.

E lindur me emrin Gaynor Hopkins në fshatin Skewen pranë Swanseas, Tyler u rrit në një banesë sociale së bashku me pesë motra dhe vëllezër më të mëdhenj.

“E konsideroj veten një vajzë të klasës punëtore dhe nuk kam ndalur kurrë së punuari,” kishte deklaruar ajo për The Guardian në vitin 2013. “Jap shumë koncerte, sepse mendoj se shumë njerëz do të dëshironin ta kishin mundësinë që më është dhënë mua”.

Image

Karriera e saj muzikore nisi në mënyrë modeste. Ajo këndonte versione të këngëve të njohura në klube lokale, ndërsa punonte në një dyqan ushqimor. Një zbulues talentesh e dëgjoi një mbrëmje duke interpretuar këngën Band of Gold të Freda Payne. Pas kësaj regjistroi një demo për t’ua dërguar shtëpive diskografike dhe, pas dy vitesh, u nënshkrua nga RCA Records, duke marrë emrin artistik Bonnie Tyler.

Kënga e saj e parë nuk pati sukses, por e dyta, Lost in France, u rendit në dhjetëshen më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe kënga pasuese, More Than a Lover, pati sukses të moderuar.

Pas një operacioni të suksesshëm për heqjen e nyjeve në kordat vokale, Tyler tha se “zëri im u bë më i ngjirur se më parë dhe mori më shumë forcë”. Pikërisht ky ndryshim e bëri ideale interpretimin e këngës It’s a Heartache, e cila u bë hiti i saj i parë i madh në SHBA, duke u renditur e treta atje dhe e katërta në Mbretërinë e Bashkuar.

Tyler dëshmoi se ishte një artiste shumë e gjithanshme, duke kaluar nga baladat me elemente country te këngët disco-pop, si hiti i vitit 1979 (The World is Full of) Married Men, i regjistruar për ekranizimin e romanit me të njëjtin emër të Jackie Collins.

Megjithatë, ajo dëshironte të kalonte në muzikën rock dhe iu afrua kompozitorit Jim Steinman, i njohur për bashkëpunimin e tij të suksesshëm me Meat Loaf.

Steinman u impresionua nga Tyler dhe ia besoi këngën Total Eclipse of the Heart, një vendim që, sipas raportimeve, ngjalli xhelozinë e Meat Loaf. Tyler i kishte thënë një miku në atë kohë: “Sot regjistrova një këngë të jashtëzakonshme. Problemi është se është aq e gjatë, sa nuk besoj se dikush do ta transmetojë ndonjëherë.