FBI-ja gjeti përputhje mes dheut në çizmet e të akuzuarve dhe vendit të sulmit në Ibër-Lepenc

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, prokurori Bekim Kodraliu bëri të ditur se ekspertë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) kanë kryer analiza forenzike mbi mostrat e dheut të gjetura në çizmet e dy prej të akuzuarve. Sipas tij, ekspertiza ka përfshirë krahasimin e baltës dhe…

Lajme

09/07/2026 12:52

Në gjykimin ndaj të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, prokurori Bekim Kodraliu bëri të ditur se ekspertë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) kanë kryer analiza forenzike mbi mostrat e dheut të gjetura në çizmet e dy prej të akuzuarve.

Sipas tij, ekspertiza ka përfshirë krahasimin e baltës dhe dheut të marrë nga çizmet e Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq me mostrat e mbledhura në vendin ku ndodhi shpërthimi, si dhe me mostra të marra në tri lokacione të tjera për qëllime krahasuese.

Kodraliu tha se rezultatet e analizës tregojnë se mostrat e dheut të gjetura në çizmet e dy të akuzuarve kanë karakteristika të njëjta me ato të vendit të ngjarjes, ndërsa dallojnë nga mostrat e marra në lokacionet e tjera.

Ai theksoi se, sipas ekspertëve të FBI-së, përputhshmëria vërehet në elemente si ngjyra, struktura, përbërja minerale dhe veçori të tjera fizike të dheut.

Prokurori deklaroi se kjo ekspertizë do të paraqitet si provë gjatë procesit gjyqësor, duke pretenduar se ajo mbështet akuzën se Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, raportoi Betimi për Drejtësi.