Rekorde, gola spektakolarë dhe befasi të mëdha – a është ky Botërori më i mirë në histori?
Gola të jashtëzakonshëm, përmbysje dramatike, fitore në minutat e fundit dhe rezultate që askush nuk i priste. Kupa e Botës 2026 ka dhuruar deri tani një spektakël të rrallë dhe, ndërsa turneu hyn në fazën e çerekfinaleve, gjithnjë e më shumë shtrohet pyetja: A po shohim Botërorin më të mirë në histori? Edicioni i parë…
Sport
Gola të jashtëzakonshëm, përmbysje dramatike, fitore në minutat e fundit dhe rezultate që askush nuk i priste.
Kupa e Botës 2026 ka dhuruar deri tani një spektakël të rrallë dhe, ndërsa turneu hyn në fazën e çerekfinaleve, gjithnjë e më shumë shtrohet pyetja: A po shohim Botërorin më të mirë në histori?
Edicioni i parë me 48 kombëtare, i organizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, është një rekord për nga përmasat, por statistikat tregojnë se mund të jetë edhe një nga më spektakolarët në fushë.
Rekord golash dhe futboll sulmues
Pas 96 nga 104 ndeshjet e planifikuara janë shënuar plot 280 gola, ose mesatarisht 2.92 gola për ndeshje.
Ky është mesatarja më e lartë në një Kupë Bote që nga Botërori i vitit 1970 në Meksikë (2.97 gola për ndeshje).
Për krahasim:
Katar 2022 – 2.69 gola për ndeshje
Rusia 2018 – 2.64
Brazili 2014 – 2.67
Afrika e Jugut 2010 – 2.27
Ndeshja me më shumë gola ka qenë fitorja 7-1 e Gjermanisë ndaj Curaçaos, ndërsa shtatë takime të tjera kanë prodhuar nga gjashtë gola dhe 13 të tjera kanë përfunduar me pesë gola.
Një tjetër tregues i futbollit ofensiv është fakti se 74.6% e golave janë shënuar nga loja e hapur, ndërsa vetëm 5% kanë ardhur nga penalltitë, përqindja më e ulët në historinë e Kupës së Botës.
Përmbysje spektakolare dhe emocione deri në fund
Drama nuk ka munguar as në fazën eliminatore. Nga 24 përballjet me eliminim direkt, tetë janë vendosur me gol pas minutës së 85-të, ndërsa katër ndeshje kanë shkuar deri te penalltitë.
Goli fitues i Enzo Fernandez ndaj Egjiptit ishte gjithashtu goli i 10-të vendimtar i shënuar pas minutës së 90-të, një rekord absolut për një Kupë Bote.
Vetëm gjatë muajit korrik janë zhvilluar disa ndeshje që tashmë konsiderohen klasike:
Belgjika përmbysi Senegalin për të fituar 3-2.
Argjentina riktheu rezultatin ndaj Egjiptit dhe triumfoi 3-2.
Anglia mposhti Meksikën 3-2, edhe pse luajti rreth 40 minuta me një futbollist më pak pas përjashtimit të Jarell Quansah.
Veçanërisht Belgjika dhe Argjentina arritën të rikuperonin disavantazhin prej dy golash, diçka që nuk kishte ndodhur më shumë se një herë në të njëjtin Botëror që nga viti 1970.
Edhe barazimet pa gola kanë historinë e tyre
Turneu ka regjistruar edhe tetë barazime 0-0, një rekord në historinë e Kupës së Botës.
Megjithatë, shumë analistë e shohin këtë jo si mungesë spektakli, por si dëshmi të një ekuilibri më të madh mes kombëtareve.
Stadiume plot dhe yjet në skenë
Pavarësisht kritikave të shumta për çmimet e larta të biletave dhe kostot e udhëtimit, tifozët kanë mbushur stadiumet.
Sipas FIFA-s, 99.7% e vendeve të disponueshme janë zënë, ndërsa deri tani turneu ka tërhequr mbi 6.2 milionë spektatorë, me një mesatare prej më shumë se 65 mijë tifozësh për ndeshje.
Në fushë kanë shkëlqyer edhe emrat më të mëdhenj të futbollit.
Gara për Këpucën e Artë është ndër më të fortat ndonjëherë:
Lionel Messi – 8 gola
Kylian Mbappe – 7 gola
Erling Haaland – 7 gola
Harry Kane – 6 gola
Është hera e parë në historinë e Botërorit që tre futbollistë arrijnë të shënojnë të paktën shtatë gola në të njëjtin turne.
Kombëtaret e vogla kanë shkruar histori
Zgjerimi në 48 ekipe solli frikën se do të kishte shumë ndeshje të pabarabarta, por disa nga historitë më emocionuese i kanë shkruar pikërisht kombëtaret më modeste.
Curaçao, vendi më i vogël që është kualifikuar ndonjëherë në një Kupë Bote, reagoi pas humbjes 7-1 nga Gjermania duke marrë një barazim ndaj Ekuadorit.
Katari, megjithëse u mposht 6-0 nga Kanadaja, arriti të ndalte Zvicrën në një barazim 1-1.
Ndërkohë, Kepi i Gjelbër ishte një nga surprizat më të mëdha të turneut.
Me portierin 40-vjeçar Vozinha, afrikanët barazuan me Spanjën, Uruguain dhe Arabinë Saudite për të kaluar fazën e grupeve, ndërsa në 1/16 e finales i shkaktuan probleme serioze Argjentinës, duke u eliminuar vetëm pas kohës shtesë me rezultatin 3-2.
Jo gjithçka ka qenë perfekte
Pavarësisht suksesit sportiv, Botërori është shoqëruar edhe me polemika. Çmimet e larta të biletave, hoteleve dhe transportit kanë qenë ndër kritikat kryesore të tifozëve.
Në shumë stadiume janë kontestuar edhe ndërprerjet për hidratim, sidomos kur ato janë zhvilluar në ambiente me çati të mbyllur ose me ajër të kondicionuar.
Gjithashtu janë ngritur pikëpyetje për ngarkesën fizike të futbollistëve, duke qenë se sezoni i ri i Ligës Premier nis vetëm një muaj pas finales së Botërorit.
Rasti Balogun ndezi debat të madh
Një nga episodet më të diskutueshme të turneut ishte ai i sulmuesit amerikan Folarin Balogun.
Pasi u përjashtua me karton të kuq ndaj Bosnje dhe Hercegovinës, Balogun u lejua të luante në ndeshjen pasuese ndaj Belgjikës, pasi FIFA pezulloi dënimin duke u mbështetur në nenin 27 të Kodit Disiplinor.
Vendimi u kritikua ashpër nga UEFA, Belgjika dhe trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ndërsa mediat raportuan se presidenti amerikan Donald Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për këtë çështje.
Pavarësisht polemikave, FIFA mund ta konsiderojë këtë një nga Botërorët më të suksesshëm të organizuar ndonjëherë.
Ndeshje spektakolare, stadiume të mbushura, atmosferë elektrizuese dhe yjet më të mëdhenj të futbollit kanë krijuar një turne që tashmë po krahasohet me më të mirët në histori.
Me Argjentinën, Spanjën, Francën dhe Anglinë ende në garë dhe të shpërndara në çerekfinale të ndryshme, faza finale premton emocione edhe më të mëdha.
Nëse ndeshjet e mbetura do të ruajnë të njëjtin nivel spektakli, Botërori 2026 mund të hyjë përgjithmonë në histori si edicioni më i mirë i zhvilluar ndonjëherë.




