Sulmi në Ibër-Lepenc, dy të akuzuarit sillen në gjykatë
Të akuzuarit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq i cili është duke u mbrojtur në liri, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, janë sjellur të enjtën në gjykatën Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor…
Lajme
Të akuzuarit Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq i cili është duke u mbrojtur në liri, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, janë sjellur të enjtën në gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.
Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.Këtë, sipas PSRK-së e kanë bërë përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku me atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një fitili zjarr-përcjellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të “Ibër Lepenc”.
E kjo, në aktakuzë thuhet se kishte shkaktuar ndërprerje furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore te Kosovës, është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.
Kështu, ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” nga neni 129. par.1 dhe neni 128, par.1, nënpar.1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.