Nis afati kushtetues 30-ditor – Kuvendi duhet konstituuar deri më 7 gusht
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar këtë të mërkurë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor, duke përmbyllur zyrtarisht procesin zgjedhor dhe duke i hapur rrugë fazës së formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. Me vendimin e KQZ-së është vulosur përbërja e legjislaturës së re të…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar këtë të mërkurë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 7 qershor, duke përmbyllur zyrtarisht procesin zgjedhor dhe duke i hapur rrugë fazës së formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.
Me vendimin e KQZ-së është vulosur përbërja e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në listën e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë reflektuar edhe dy ndryshime, të cilat tashmë bëhen pjesë e përbërjes së re parlamentare, shkruan lajmi.net.
Certifikimi i rezultateve shënon edhe fillimin e afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sipas nenit 66 të Kushtetutës dhe interpretimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, legjislatura e re duhet të konstituohet jo më larg se data 7 gusht.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit nuk nënkupton vetëm mbajtjen e një seance formale apo mbledhjen e deputetëve në sallë, por përfundimin e të gjitha procedurave të domosdoshme kushtetuese që e bëjnë institucionin plotësisht funksional. Kjo përfshin verifikimin e mandateve të deputetëve, dhënien e betimit solemn, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në bazë të procedurave kushtetuese, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, pritet ta thërrasë seancën konstituive brenda afatit të përcaktuar. Para mbajtjes së saj do të organizohet edhe takimi konsultativ me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare, ku do të diskutohen aspektet organizative dhe procedurale të seancës.
Pas certifikimit të rezultateve, Haxhiu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë moment si përmbylljen e një procesi të rëndësishëm demokratik për Republikën e Kosovës.
“Sot, me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë. Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet që kanë qenë të përfshira në administrimin e procesit zgjedhor, si dhe qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke theksuar se respektimi i vullnetit të qytetarëve mbetet themeli i demokracisë.
Haxhiu ka bërë të ditur se seanca konstituive do të thirret në përputhje me afatet kushtetuese, duke shtuar se besimi i marrë nga qytetarët përfaqëson përgjegjësi të madhe për secilin deputet të zgjedhur.
“Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, përgjegjësi dhe llogaridhënie, në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës”, ka theksuar ajo.
Konstituimi i Kuvendit konsiderohet hapi i parë drejt krijimit të institucioneve të reja. Vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit mund të vazhdojnë procedurat kushtetuese për formimin e ekzekutivit.
Në fazën pasuese, ushtruesja e detyrës së Presidentes do ta mandatojë kandidatin për kryeministër, i cili duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për ta formuar Qeverinë e re të Kosovës.
Një tjetër proces i rëndësishëm kushtetues që pason konstituimin e Kuvendit është zgjedhja e presidentit të vendit. Kushtetuta parasheh që nga dita e konstituimit të Kuvendit të fillojë afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Për zgjedhjen e presidentit nevojiten të paktën 80 vota të deputetëve, çka nënkupton se subjektet politike do të duhet të arrijnë konsensus më të gjerë parlamentar për këtë proces.
Me certifikimin e rezultateve zgjedhore, vendi hyn në një periudhë të re politike, ku fokusi tashmë zhvendoset nga procesi zgjedhor te negociatat për krijimin e shumicës parlamentare, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja, të cilat do të udhëheqin vendin në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. /Lajmi.net/