MINTI nis aksion në këmbimore dhe biznese të kriptovalutave, mbyllen gjashtë dhe gjobiten gjashtë të tjera

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur një aksion inspektues në këmbimoret dhe bizneset që ushtrojnë veprimtari me kriptovaluta, me qëllim të verifikimit të respektimit të legjislacionit në fuqi. Sipas njoftimit të MINT-it, inspektimet kanë filluar në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Podujevës,…

Lajme

08/07/2026 18:38

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur një aksion inspektues në këmbimoret dhe bizneset që ushtrojnë veprimtari me kriptovaluta, me qëllim të verifikimit të respektimit të legjislacionit në fuqi.

Sipas njoftimit të MINT-it, inspektimet kanë filluar në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Podujevës, Rahovecit dhe Suharekës.

Gjatë ditës së parë të aksionit janë inspektuar 16 biznese. Prej tyre, ndaj gjashtë subjekteve është shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë për shkak të mungesës së dokumentacionit të detyrueshëm, kryesisht mungesës së pëlqimit për përmbushjen e kushteve minimale teknike.

Po ashtu, gjashtë biznese të tjera janë gjobitur për mosposedim të dokumentacionit të kërkuar me ligj.

Ministria bën të ditur se aksioni është pjesë e një plani operacional më të gjerë, në kuadër të të cilit do të inspektohen mbi 268 biznese të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), të cilat kanë të regjistruar kodin për ndërmjetësime të tjera monetare.

Përmes këtij aksioni, autoritetet synojnë të sigurojnë që të gjithë operatorët ekonomikë të përmbushin kushtet ligjore për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

MINT u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve që merren me këtë aktivitet të aplikojnë për pëlqimin e kushteve minimale teknike në ministri dhe të pajisen me licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas ministrisë, aksioni do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të planit operacional, me synim garantimin e zbatimit të ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe krijimin e një tregu të rregulluar e të sigurt për të gjithë operatorët ekonomikë. /Lajmi.net/