ATK dhe Policia kontrollojnë qendra masazhi e lokale me muzikë live, zbulohen 94 punëtorë të padeklaruar dhe dhjetëra shkelje tatimore

Policia e Kosovës, bashkë me ATK-në, MINT-in dhe Inspektoratin e Punës që nga data 8-12 qershor i këtij viti, ka realizuar aktivitete të përbashkëta në kuadër të Planit Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, të organizuar në kuadër të aktiviteteve të EMPACT, nën udhëheqjen e EUROPOL, INTERPOL dhe Frontex. Në këtë…

Lajme

08/07/2026 15:11

Policia e Kosovës, bashkë me ATK-në, MINT-in dhe Inspektoratin e Punës që nga data 8-12 qershor i këtij viti, ka realizuar aktivitete të përbashkëta në kuadër të Planit Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Global Chain 2026”, të organizuar në kuadër të aktiviteteve të EMPACT, nën udhëheqjen e EUROPOL, INTERPOL dhe Frontex.

Në këtë operacion ndërkombëtar kanë marrë pjesë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Vietnami, Tajlanda, Australia, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Argjentina, Brazili, Kolumbia, shtetet anëtare të AMERIPOL-it, Nigeria dhe Panamaja. Liderë të këtij veprimi kanë qenë Austria, Rumania dhe Frontex.

“Në kuadër të këtij plani operativ janë zhvilluar aktivitete të ndryshme, të cilat kanë përfshirë operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit me njerëz, operacione të përbashkëta me inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Inspektoratit të Punës për kontrollimin e lokaleve me muzikë live dhe qendrave të masazhit, si dhe zbatimin e planeve taktike lidhur me eskortat”, ka shkruar ATK.

Ata kanë thënë se në kuadër të kontrolleve, nga aspekti tatimor janë kontrolluar gjithsej 79 subjekte afariste, me fokus në respektimin e legjislacionit tatimor dhe formalizimin e ekonomisë.

“Gjatë këtyre aktiviteteve janë verifikuar përmbushja e obligimeve tatimore, përdorimi i Pajisjeve Elektronike Fiskale (PEF), lëshimi i kuponëve fiskalë, deklarimi i punëtorëve, si dhe respektimi i dispozitave të tjera të legjislacionit tatimor. Nga kontrollet e realizuara është konstatuar se një pjesë e subjekteve i përmbushin obligimet ligjore, ndërsa në një numër rastesh janë evidentuar parregullsi, përfshirë mosposedimin e Pajisjes Elektronike Fiskale, moslëshimin e kuponit fiskal, punëtorë të padeklaruar dhe shkelje të tjera, për të cilat janë ndërmarrë veprimet ligjore nga Administrata Tatimore e Kosovës”, ka njoftuar ATK.

Ata kanë treguar raportin përmbledhës të inspektimeve:

79 subjekte afariste të kontrolluara;

50 subjekte të pajisura me Pajisje Elektronike Fiskale (PEF/SEF);

27 subjekte të papajisura me PEF;

2 subjekte pa të dhëna për statusin e pajisjes me PEF;

43 subjekte kanë lëshuar kupon fiskal;

33 subjekte nuk kanë lëshuar kupon fiskal;

3 subjekte pa të dhëna lidhur me lëshimin e kuponit fiskal;

94 punëtorë të padeklaruar janë evidentuar gjatë kontrolleve.

“Policia e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës mbeten të përkushtuara në vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta, në bashkëpunim me institucionet vendore me qëllim të luftimit të ekonomisë joformale, trafikimit me njerëz, evazionit fiskal dhe çdo forme tjetër të veprimtarisë së kundërligjshme, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: