E përsërit Prattipati: Kosova të diversifikojë furnizimin me energji me gazin amerikan për të siguruar investimet e ardhshme
E ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka përsëritur thirrjen që Kosova të diversifikojë furnizimin me energji duke u orientuar drejt gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja. Ajo e konsideron se një hap i tillë është i rëndësishëm për tërheqjen dhe sigurimin e investimeve të ardhshme amerikane në vend.…
Lajme
E ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka përsëritur thirrjen që Kosova të diversifikojë furnizimin me energji duke u orientuar drejt gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.
Ajo e konsideron se një hap i tillë është i rëndësishëm për tërheqjen dhe sigurimin e investimeve të ardhshme amerikane në vend.
Këtë mesazh Prattipati e dha gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimit të Partneritetit SHBA-Kosovë, ku u vlerësuan anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për kontributin e tyre në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.
Në fjalën e saj, ajo mirëpriti edhe vendimin e institucioneve të Kosovës për heqjen e tarifave doganore ndaj mallrave amerikane.
“E Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Anu Prattipati, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Partneritetit SHBA-Kosovë, ku u vlerësuan anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për kontributin e tyre në forcimin e tregtisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Në fjalën e saj, ajo mirëpriti vendimin e Kosovës për të hequr tarifat doganore për mallrat amerikane dhe bëri thirrje që Kosova të diversifikojë furnizimin e saj me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja, me qëllim sigurimin e investimeve të ardhshme amerikane”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.
Prattipati kishte përcjellë të njëjtin mesazh edhe javë më parë përmes një editoriali, ku u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’u bashkohen projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara në Ballkan, duke e cilësuar këtë si një mundësi strategjike për të ardhmen energjetike të vendit.
Sipas saj, Kosova duhet të veprojë pa vonesa për të përfituar nga këto iniciativa.
“Kosova duhet të veprojë shpejt për të shfrytëzuar këtë mundësi, sepse afati po mbaron”, kishte theksuar Prattipati.
Ajo ka nënvizuar se Kosova mund të sigurojë qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan përmes projekteve rajonale, si Korridori Vertikal i Gazit, terminali lundrues i LNG-së në Kroaci, si dhe gazsjellësi që po ndërtohet për të lidhur terminalin e LNG-së në Aleksandrupolis të Greqisë me Shkupin në Maqedoninë e Veriut.
Prattipati ka paralajmëruar se çdo vonesë në marrjen e një vendimi për përfshirjen në këto projekte mund ta lërë Kosovën si të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan.