Haxhiu në përvjetorin e vëllezërve Bytyqi: Serbia i njeh përgjegjësit, por mungon vullneti për t’i nxjerrë para drejtësisë
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi në 27-vjetorin e vrasjes së tyre, duke theksuar se familja e tyre vazhdon të presë drejtësi dhe se Serbia ende nuk ka vënë para përgjegjësisë autorët e krimit. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu rikujtoi se tre vëllezërit, pjesëtarë të…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar vëllezërit Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi në 27-vjetorin e vrasjes së tyre, duke theksuar se familja e tyre vazhdon të presë drejtësi dhe se Serbia ende nuk ka vënë para përgjegjësisë autorët e krimit.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu rikujtoi se tre vëllezërit, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, lanë jetën e tyre në Shtetet e Bashkuara për t’iu bashkuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo tha se pas përfundimit të luftës, më 23 qershor 1999, derisa po ndihmonin dy familje rome të kalonin drejt Serbisë, ata kaluan pa dashje vijën e pashënuar kufitare dhe u arrestuan nga policia serbe.
Sipas Haxhiut, megjithëse gjykata kishte urdhëruar lirimin e tyre, vëllezërit Bytyqi u morën nga burgu, u dërguan në Petrovo Selo dhe u ekzekutuan me duar të lidhura. Ajo rikujtoi se eshtrat e tyre u gjetën në vitin 2001 në një varrezë masive brenda bazës policore në Petrovo Selo, në Serbinë lindore.
“Njëzet e shtatë vjet më pas, familja Bytyqi ende pret drejtësi. Serbia i njeh faktet, i njeh strukturat që i kishin në dorë dhe e njeh rrugën që i çoi drejt vdekjes. Ajo që mungon është vullneti për t’i nxjerrë përgjegjësit para ligjit”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo vlerësoi sakrificën e Yllit, Agronit dhe Mehmetit Bytyqi, duke theksuar se ata u kthyen në Kosovë për të luftuar për lirinë e vendit dhe, edhe pas përfundimit të luftës, dëshmuan humanizmin e tyre duke u dalë në ndihmë të tjerëve.
Në fund të mesazhit të saj, ushtruesja e detyrës së Presidentes nderoi kujtimin e tyre me fjalët: “Lavdi e përjetshme vëllezërve Bytyqi!”. /Lajmi.net/