Verë e bereqetshme në Lipjan, korret gruri më cilësor ndër vite
Kombajat tashmë kanë nisur punën e madhe në arat e Lipjanit. Këtu në zemër të Kosovës, po korret gruri, e bujqit po shfaqen të kënaqur me rendimentet, raporton KosovaPress. Madje, Valon Vehapi, që I ka mbjell 120 hektarë me këtë kulturë, po thotë se sivjet bima është shumë më e pasur se në vitet paraprake.…
Lajme
Kombajat tashmë kanë nisur punën e madhe në arat e Lipjanit.
Këtu në zemër të Kosovës, po korret gruri, e bujqit po shfaqen të kënaqur me rendimentet, raporton KosovaPress.
Madje, Valon Vehapi, që I ka mbjell 120 hektarë me këtë kulturë, po thotë se sivjet bima është shumë më e pasur se në vitet paraprake.
“Është viti i mbarë. Jemi diku me peshë të grurit diku mbi 6 tonë për hektar. Çka është një e mirë që në këtë vit, sikur kurrë më parë, e kemi çështjen e hektolitrit diku prej 83-ve deri në 86 që po shkon, do të thotë kurrë nuk e mbaj mend ndonjëherë që këtë hektolitrazh e kemi nxënë në parcela”, tha ai
Edhe profesori I bujqësisë, Imer Rusinovci, po e vlerëson si shumë të lartë rendimentin si edhe pasurinë e bimës së grurit. Madje e sheh si më të bereqetshme këtë zonë se një tjetër.
“Gjendja e grurit në raport me vitet e kaluara në këto ngastra punuese, është e kënaqshme. Prodhimi po sillet diku 6.5 deri në 7 tonë për hektar, gjë e cila nuk u has javën e kaluar në regjionin e Rrafshit të Dukagjinit. Dhe çka është inkurajuese është që pesha hektolitrare, përkatësisht randimenti i miellit këtë vit është dukshëm më i lartë në raport me vitet e kaluara, që do të thotë që ky grurë sot i plotëson të gjitha standardet për normativat ushqyese”, thekson Rusinovci.
Por, këta të dy ankohen për rënien e çmimit të grurit.
“Rendimenti është shumë i kënaqshëm, po çka po na përcjell një problem i madh është çështja e çmimit. Nuk jemi duke mundur me e nxjerrë investimin që e kemi bërë. Çmimi i grurit është diku 18 centë për kilogram. Çka është më e ulët se e vitit të kaluar, ku inputet i kemi pasur 30 për qind duke nisur prej plehut, naftës, farës, gjithçka është qenë më e shtrenjtë. Është e rëndë, është një degë e keqe ku shkelet djersa e punëtorit. Nuk e di ku do të shkojmë kështu, nuk e di ku do të dalim kështu. Unë si fermer, qyteti i Lipjanit i ka diku 14 mijë banorë. Unë mundem me ia siguru për 6 muaj ditë me ia siguru bukën këtij qyteti me këta banorë që i ka. Çka po sigurojnë për mua qyteti apo qeveria apo diçka tjetër? Është e çuditshme bre, është e tmerrshme kur këtë shishe me ujë, që nuk i ka as gjysmë litre, u dashka me e ble 50 cent. E një litër tamël kushton 35 cent” ankohet Vehapi.
Ndërsa profesori e sheh si shumë të lartë koston e prodhimit të grurit që është ndër kulturat më të rëndësishme bujqësore në vend.
“Gjendja e fermerëve është goxha dekurajuese, goxha demotivuese, për arsye se këtë vit inputet, përfshirë edhe naftën, kanë qenë me një kosto të lartë të prodhimtarisë. Gjersa viteve të kaluara kostoja e prodhimit të hektarit të grurit është sjellë 700 deri në 800 euro për hektar, këtë vit ka dalë mbi 1000 euro, që do të thotë se bukur vështirë e kanë me këto kosto të prodhimtarisë të kurorëzohen me efekte pozitive financiare”, tha Rusinovci.
Fushata e korrje-shirjeve ka nis edhe në disa zona të tjera në Kosovë.