Ardian Gjini kërkon heqjen e Testit të Arritshmërisë: Nuk prodhon rezultate reale
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka kërkuar heqjen e Testit të Arritshmërisë, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që nuk sjell rezultate pozitive dhe nuk e pasqyron gjendjen reale të arsimit. Në një postim publik, Gjini tha se testi ishte menduar të vlerësonte sistemin arsimor dhe jo nxënësit individualisht,…
Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka kërkuar heqjen e Testit të Arritshmërisë, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që nuk sjell rezultate pozitive dhe nuk e pasqyron gjendjen reale të arsimit.
Në një postim publik, Gjini tha se testi ishte menduar të vlerësonte sistemin arsimor dhe jo nxënësit individualisht, por sipas tij, prej vitesh ai ka dështuar në këtë mision, transmeton lajmi.net.
Ai theksoi se testi streson nxënësit dhe prindërit, ndërsa krijon rezultate të rreme për cilësinë e arsimit, duke shtuar se shkalla e arritshmërisë këtë vit ka rënë në 48.35 për qind.
“Ky test duhet të hiqet krejt, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të mos përsëritet më, sepse nuk prodhon asnjë rezultat pozitiv”, ka shkruar Gjini.
Postimi i plotë:
Testi i arritshmërisë është supozuar të jetë test i sistemit, jo i nxënësve. Pra, të përgjigjet në pyetjen, çfarë kualiteti nxjerrë sistemi i arsimit e jo t’i testojë nxënësit veç e veç. Testi është duke dështuar tash e sa vite sepse është mekanizëm që streson fëmijët dhe prindërit, i streson ata nxënës që dinë e nuk kopjojnë derisa, në të njëjtën kohë i faktorizon ata që nuk dinë dhe kopjojnë.
Mbi të gjitha nuk prodhon rezultate reale, por false për kualitetin e arsimit dhe të dijes. Ky test është falsifikim i plotë.
Po ashtu, duhet cekur se shkalla e arritshmërisë ka rënë edhe më tej në 48.35% këtë vit.
Si rrjedhojë ky test duhet të hiqet krejt, sa më shpejtë të jetë e mundur dhe të mos përsëritet më sepse nuk prodhon asnjë rezultat pozitiv./lajmi.net/