Punëtorët e “Prishtina Parking” protestojnë për vonesën e pagave, kërkojnë zgjidhje nga Përparim Rama
Punëtorët e ndërmarrjes “Prishtina Parking” protestuan sot lidhur me mosdhënien dhe vonesën e pagave. Ata kërkuan pagën e muajit qershorit dhe 70 përqindëshin e pagës të asaj të gushtit të vitit 2025. Sipas tyre, nëse pagat nuk do të ekzekutohen para datës 5, do të protestohet çdo muaj. Kryetari i sindikatës së punëtorëve të kësaj…
Lajme
Punëtorët e ndërmarrjes “Prishtina Parking” protestuan sot lidhur me mosdhënien dhe vonesën e pagave.
Ata kërkuan pagën e muajit qershorit dhe 70 përqindëshin e pagës të asaj të gushtit të vitit 2025. Sipas tyre, nëse pagat nuk do të ekzekutohen para datës 5, do të protestohet çdo muaj.
Kryetari i sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, Flamur Hajdari kërkoi zgjidhje edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke shtuar se nuk është kjo hera e parë që kanë probleme me paga.
“Arsyeja pse jemi mbledh sot është se, paga që u dashtë me u ekzekutuar, nuk është ekzekutuar ende. Është data 7 sot, me kontratë kemi të drejtë deri me datën 5 me pritë. Pas datës 5, ende nuk është ekzekutuar. Arsyeja pse na mbledh sot… Nuk janë të gjithë, se disa i kemi lënë nëpër pika për shkak që mos me neglizhuar krejt punën, por sidoqoftë po presim sot gjatë ditës me u ekzekutuar. Qëllimi tonë është që t’i bëj thirrje edhe kryetarit, zotëri Përparim Ramës, që le të reflekton diçka ndaj ndërmarrjes tonë, e cila është… boll jemi në krizë. Nuk është hera e parë që kemi telashe për paga, por thuajse çdo muaj po e pret, a po del, a nuk po del”, tha Hajdari.
Ndërsa anëtari i kësaj sindikate, Safet Zuka tha se kjo protestë ka qenë e paralajmëruar.
“Ne kemi pasur, kemi takime, kemi pasur takime të rregullta me sindikatë… me ndërmarrjen gjatë gjithë kohës. Edhe i kemi paralajmëruar, i kemi dhënë një lloj ultimatumi që në qoftë se ndalet rroga, nuk del në kohën e caktuar, ne do të ndërmarrim, që jemi t’u e bë këtë tash”, tha Zuka.
Punëtorët u shprehën të indinjuar pasi sipas tyre, ky problem po përsëritet dhe nuk po gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për pagat.