Haxhiu takon raportuesin e PE-së për Kosovën, kërkon hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i hapë rrugë Kosovës drejt negociatave për anëtarësim, duke vlerësuar se aplikimi i vendit për anëtarësim duhet të trajtohet pa vonesa dhe mbi bazën e meritave. Këto qëndrime, Haxhiu i shprehu gjatë një takimi me eurodeputetin Riho Terras, raportues…

Lajme

07/07/2026 10:52

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i hapë rrugë Kosovës drejt negociatave për anëtarësim, duke vlerësuar se aplikimi i vendit për anëtarësim duhet të trajtohet pa vonesa dhe mbi bazën e meritave.

Këto qëndrime, Haxhiu i shprehu gjatë një takimi me eurodeputetin Riho Terras, raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën.

Sipas njoftimit të Presidencës, Haxhiu e falënderoi Terrasin për angazhimin dhe mbështetjen e tij ndaj perspektivës evropiane të Kosovës, duke theksuar se vendi nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë që do t’i mundësonte marrjen e statusit të vendit kandidat dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në takim, u diskutua edhe për përparimin e Kosovës në reformat evropiane, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian. Haxhiu theksoi se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare.

Po ashtu, ajo ngriti edhe çështjen e dialogut me Serbinë, situatën e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë. Sipas saj, procesi i integrimit evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët. /Lajmi.net/