Vërshimet dëmtuan rrugën Dardani-Ferizaj, Basha: Punimet për sanim dhe asfaltim po zhvillohen me intensitet

Punimet për sanimin e segmentit rrugor Dardani–Ferizaj, i cili u dëmtua nga vërshimet e ditëve të fundit, janë duke vazhduar, ka njoftuar ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha. Përmes një postimi në Facebook, Basha bëri të ditur se, pas dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet, ekipet kanë reaguar menjëherë për të rikthyer qarkullimin…

Lajme

07/07/2026 09:49

Punimet për sanimin e segmentit rrugor Dardani–Ferizaj, i cili u dëmtua nga vërshimet e ditëve të fundit, janë duke vazhduar, ka njoftuar ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha.

Përmes një postimi në Facebook, Basha bëri të ditur se, pas dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet, ekipet kanë reaguar menjëherë për të rikthyer qarkullimin në gjendje normale.

Sipas tij, vërshimet ndodhën të mërkurën, ndërsa të enjten në mëngjes ai doli në terren për të inspektuar nga afër dëmet. Po atë ditë, operatori ekonomik nisi punimet për sanimin e segmentit të dëmtuar.

“Pas ndërhyrjeve fillestare, sot po realizohet edhe asfaltimi i pjesës së dëmtuar, me qëllim që rruga të rikthehet plotësisht në funksion”, ka shkruar Basha.

Ai theksoi se fatkeqësitë natyrore nuk mund të parandalohen, por se institucionet do të reagojnë sa më shpejt për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e infrastrukturës në funksion.

Basha falënderoi qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin gjatë zhvillimit të punimeve, si dhe operatorin ekonomik dhe punëtorët për reagimin e shpejtë dhe angazhimin në sanimin e rrugës. /Lajmi.net/