SHBA eliminohet në shtëpi, Belgjika rezervon duelin e madh me Spanjën
Belgjika është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti bindshëm Shtetet e Bashkuara me rezultat 4:1 në Seattle, duke regjistruar fitoren e shtatë radhazi ndaj amerikanëve në përballjet mes tyre. Me këtë humbje, SHBA-së i shuhet ëndrra për të arritur çerekfinalen për herë të parë që nga viti 2002, ndërsa të tre…
Sport
Belgjika është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti bindshëm Shtetet e Bashkuara me rezultat 4:1 në Seattle, duke regjistruar fitoren e shtatë radhazi ndaj amerikanëve në përballjet mes tyre.
Me këtë humbje, SHBA-së i shuhet ëndrra për të arritur çerekfinalen për herë të parë që nga viti 2002, ndërsa të tre vendet organizatore të Botërorit eliminohen në fazën e 1/8 së finales.
Belgjika e nisi ndeshjen në mënyrë ideale dhe kaloi në epërsi që në minutën e nëntë. Pas një gabimi në mbrojtjen amerikane, Nicolas Raskin asistoi për Charles De Ketelaere, i cili e dërgoi topin në rrjetë. SHBA reagoi në minutën e 30-të, kur Malik Tillman barazoi me një goditje të fuqishme nga distanca që u devijua në rrugën drejt portës.
Megjithatë, belgët rikthyen menjëherë epërsinë. Vetëm dy minuta më vonë, Leandro Trossard harkoi në zonë, ndërsa De Ketelaere realizoi me kokë për golin e dytë personal dhe rezultatin 2:1 para pushimit.
Në pjesën e dytë, skuadra e Rudi Garcias vulosi fitoren. Në minutën e 57-të, një gabim i portierit Matt Freese u shfrytëzua nga Hans Vanaken, i cili realizoi nga rreth 35 metra për 3:1. Në fund, Romelu Lukaku shënoi një gol të bukur për rezultatin përfundimtar 4:1.
Belgjika tani do të përballet me Spanjën në çerekfinale në Los Angeles, ndërsa eliminimi i hershëm i SHBA-së pritet të shtojë presionin mbi përzgjedhësin Mauricio Pochettino, e ardhmja e të cilit në krye të kombëtares amerikane tashmë është vënë në pikëpyetje.