Pacolli dhe Ahmeti diskutojnë për lokacionin e deponisë moderne
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se zgjidhja e problemit të menaxhimit të mbeturinave mbetet një nga prioritetet institucionale, ndërsa ka njoftuar për hapat që po ndërmerren drejt ndërtimit të një deponie moderne për rajonin e Prishtinës. Sipas ministres, në kuadër të planeve afatgjata parashihet modernizimi i…
Lajme
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se zgjidhja e problemit të menaxhimit të mbeturinave mbetet një nga prioritetet institucionale, ndërsa ka njoftuar për hapat që po ndërmerren drejt ndërtimit të një deponie moderne për rajonin e Prishtinës.
Sipas ministres, në kuadër të planeve afatgjata parashihet modernizimi i deponive ekzistuese, si dhe mbyllja e deponisë së Mirashit. Për realizimin e këtij projekti, sipas saj, është e nevojshme të sigurohet një lokacion i përshtatshëm ku do të ndërtohet një deponi moderne, e cila do të përfshijë edhe komponentën e ndarjes dhe riciklimit të mbeturinave.
Në këtë kuadër, ministrja ka njoftuar se është takuar me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, me të cilin kanë diskutuar për mundësinë e përcaktimit të një lokacioni të përshtatshëm në territorin e komunës.
Sipas njoftimit, palët janë dakorduar që të bashkëpunojnë në identifikimin e një lokacioni të përshtatshëm për ndërtimin e deponisë moderne, e cila pritet t’i shërbejë rajonit të Prishtinës.