Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje të re për lehtësimin e punësimit
Kosova dhe Shqipëria kanë finalizuar një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e tregut të punës, e cila synon lehtësimin e lëvizjes së punëtorëve dhe rritjen e mundësive të punësimit ndërmjet dy vendeve. Sipas marrëveshjes, qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë do të mund të punojnë në shtetin tjetër pa pasur nevojë për leje pune, duke…
Lajme
Kosova dhe Shqipëria kanë finalizuar një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e tregut të punës, e cila synon lehtësimin e lëvizjes së punëtorëve dhe rritjen e mundësive të punësimit ndërmjet dy vendeve.
Sipas marrëveshjes, qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë do të mund të punojnë në shtetin tjetër pa pasur nevojë për leje pune, duke ndjekur procedurat e përcaktuara përmes agjencive përkatëse të punësimit.
Po ashtu, parashihet që punëtorët të trajtohen në mënyrë të barabartë me punëtorët vendas sa i përket të drejtave dhe mbrojtjes në punë. Marrëveshja përfshin edhe zhvillimin e programeve të përbashkëta për aftësim profesional, si dhe njohjen e certifikatave dhe kualifikimeve profesionale.
Ndër pikat kryesore është edhe bashkëpunimi për njohjen e kontributeve pensionale dhe sigurimeve shoqërore, në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, si dhe forcimi i koordinimit ndërinstitucional në shërbimet e punësimit.
Zbatimi i marrëveshjes do të bëhet nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive e Shqipërisë (AKPA).
Marrëveshja është nënshkruar për një periudhë katërvjeçare dhe ka hyrë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit më 3 korrik 2026.