Bytyqi: Qytetarët janë të zhgënjyer me situatën politike në Kosovë

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, ka deklaruar se ende nuk kanë nisur diskutimet zyrtare mes partive politike për arritjen e një konsensusi, pavarësisht deklaratave të ndryshme që po bëhen në publik. Ajo tha se AAK-ja është e vetmja parti që deri më tani ka dalë me një qëndrim të qartë…

Lajme

06/07/2026 17:30

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, ka deklaruar se ende nuk kanë nisur diskutimet zyrtare mes partive politike për arritjen e një konsensusi, pavarësisht deklaratave të ndryshme që po bëhen në publik.

Ajo tha se AAK-ja është e vetmja parti që deri më tani ka dalë me një qëndrim të qartë dhe zyrtar lidhur me pikat kryesore për arritjen e një konsensusi, përfshirë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Faktikisht nuk kanë filluar ende diskutimet zyrtare, pavarësisht deklaratave të ndryshme. Aleanca është e vetmja që ka dalë me një qëndrim zyrtar dhe konkret, duke bërë të ditura pikat kryesore për konsensusin rreth zgjedhjes së presidentit. Ne kemi dhënë një mesazh të qartë se nuk jemi duke i bllokuar institucionet e Kosovës”, u shpreh Bytyqi ne emisionin “Five” te Dukagjinit.

Sipas saj, qytetarët janë të zhgënjyer me zhvillimet politike dhe kanë humbur shpresën për një zgjidhje të shpejtë të ngërçit institucional.

“Qytetarëve u ka humbur shpresa. Çdo njeri që takoj nuk beson se do të ketë zgjidhje për presidentin dhe mendojnë se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje. Njerëzit janë të zhgënjyer me situatën që po kalon Kosova”, tha ajo.

Bytyqi theksoi se tashmë ka ardhur koha që subjektet politike të arrijnë një konsensus, duke shtuar se vendi nuk ka nevojë për lojëra politike.

Ajo komentoi edhe deklaratat e deputetes Arbërie Nagavci, duke thënë se nuk pajtohet me qëndrimin se zgjedhjet mund të mbahen për shkak të presidentit.

“Nuk mendoj se për shkak të presidentit do të shkohet në zgjedhje, por për shkak të qeverisë. Sipas procedurave, fillimisht duhet të arrihet konsensus për presidentin, pastaj të bëhet konstituimi i Kuvendit dhe më pas formimi i qeverisë. Ne kemi shkuar në zgjedhje për shkak të qeverisjes, e jo për shkak të presidentit”, deklaroi Bytyqi.