Serwer: Kosovës i duhet stabilitet politik, anëtarësim në NATO dhe më shumë bashkëpunim
Profesori amerikan dhe eksperti i Ballkanit, Daniel Serwer ka publikuar një analizë pas vizitës së tij njëjavore në Kosovë, ku mori pjesë në një turne ligjëratash me rastin e 250-vjetorit të Amerikës. Ai vlerëson se, megjithëse vendi ka bërë përparim të dukshëm, përballet ende me sfida të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore. “Duke parë zhvillimet…
Lajme
Profesori amerikan dhe eksperti i Ballkanit, Daniel Serwer ka publikuar një analizë pas vizitës së tij njëjavore në Kosovë, ku mori pjesë në një turne ligjëratash me rastin e 250-vjetorit të Amerikës. Ai vlerëson se, megjithëse vendi ka bërë përparim të dukshëm, përballet ende me sfida të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore.
“Duke parë zhvillimet e fundit, popullsia dëshiron që politikanët të merren me punën e tyre. Polarizimi po e bën këtë të vështirë”, shkruan Serwer, duke iu referuar ngërçit institucional pas zgjedhjeve.
Sipas tij, Kosova vazhdon të jetë në bllokadë institucionale pas mbajtjes së tre zgjedhjeve brenda më pak se 16 muajve. Ai thekson se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë numrat për të formuar qeverinë, por mungesa e kompromisit me opozitën për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
Në aspektin ekonomik, Serwer vëren se Kosova ka përjetuar rritje gjatë viteve të fundit dhe ka përmirësuar renditjen në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, ai kritikon pagesat shtesë para zgjedhjeve.
“Edhe pse përfituesit kanë qenë kryesisht shtresat me të ardhura më të ulëta, blerja e votës e degradon demokracinë”, shprehet ai.
Analisti ndalet edhe te sektori i energjisë, duke thënë se debati për importin e gazit natyror të lëngshëm amerikan nuk duhet parë vetëm nga prizmi politik.
“Gazi natyror i lëngshëm amerikan është i shtrenjtë. Po ashtu edhe gazifikimi i linjitit, me nënprodukte që nuk do të jenë të lehta për t’u menaxhuar”, shkruan Serwer.
Në planin shoqëror, ai evidenton zhvillimin e sektorit privat, investimet e diasporës dhe modernizimin e bizneseve, por thekson se infrastruktura publike dhe sistemi shëndetësor kanë ende nevojë për përmirësime.
Sa i përket marrëdhënieve ndëretnike, Serwer shkruan se “krimet ndëretnike janë të rralla”, por shton se në të dy komunitetet vazhdon retorika e ashpër politike, veçanërisht në Mitrovica e Veriut.
Në përfundim, ai shpreh optimizëm për perspektivën euroatlantike të Kosovës.
“Hapi jetik i radhës është anëtarësimi në NATO, për të cilin Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë e gatshme në vitin 2028”, thekson Serwer.
Ai shton se, pas kësaj, “anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk duhet të vonojë shumë, me kusht që qeveria e ardhshme të bëjë përpjekje të përqendruara për zbatimin e legjislacionit në përputhje me BE-në”. /Lajmi.net/