Ramosaj i del në mbrojtje fermerit të denoncuar që e derdhi qumshtin në lum

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i ka dalë në mbrojtje fermerit Tafë Çeku, i cili u denoncua në Polici pasi derdhi qumësht në lum në shenjë proteste, pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit. I ftuar në emisionin Kosova Live në T7, Ramosaj tha se shumë prej atyre që e kanë kritikuar fermerin nuk e njohin…

Lajme

06/07/2026 16:08

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i ka dalë në mbrojtje fermerit Tafë Çeku, i cili u denoncua në Polici pasi derdhi qumësht në lum në shenjë proteste, pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit.

I ftuar në emisionin Kosova Live në T7, Ramosaj tha se shumë prej atyre që e kanë kritikuar fermerin nuk e njohin historinë e tij dhe të familjes.

“Sot, ata që e kritikojnë Tafë Çekun nuk e dinë kush është ai dhe nuk e njohin historinë familjare të tij. Ai vjen nga një familje që ka qenë pjesë e luftës çlirimtare. Është i plagosur i luftës dhe, bashkë me familjen, ka investuar për të ndërtuar një biznes të prodhimit të qumështit. Tafa është një djalë që i është përveshur punës pa kërkuar ndihmë nga askush,” tha Ramosaj.

Ai i cilësoi të papranueshme etiketimet që i janë bërë fermerit në rrjetet sociale.

“Ta quash terrorist, kriminel apo ta etiketosh me terma të tjerë është e papranueshme për mua dhe besoj edhe për çdo qytetar që ia do të mirën këtij vendi. Nuk duhet të flasim për njerëzit pa i njohur dhe pa e ditur historinë e tyre”, u shpreh ai.