Liqeni Artificial në Mitrovicë po “mbytet” e mbulohet nga barishtet, kush e ka fajin?

Liqeni artificial në Mitrovicë konsiderohet të jetë një nga bukuritë kryesore të pjesës së afërt urbane të këtij qytetit. Prejse u bë ai, rreth një dekadë më parë, mitrovicasit, pos që krenoheshin me të, edhe kalonin shumë kohë të kjo hapësirë e komunës që ndodhet afër stadiumit Adem Jashari. Por, këtë vit, është zbehur paksa…

Lajme

05/07/2026 13:30

Liqeni artificial në Mitrovicë konsiderohet të jetë një nga bukuritë kryesore të pjesës së afërt urbane të këtij qytetit.

Prejse u bë ai, rreth një dekadë më parë, mitrovicasit, pos që krenoheshin me të, edhe kalonin shumë kohë të kjo hapësirë e komunës që ndodhet afër stadiumit Adem Jashari.

Por, këtë vit, është zbehur paksa vullneti i vendasve dhe vizitorëve për të ardhur këtu.

Kjo për faktin se pamja e Liqenit, sidomos pjesa me ujë, ka ndryshuar, jo për të mirë.

Ai është mbushur me barishte, që kanë rrënjë nën ujë, e për pasojë edhe me mbeturina.

Në pjesën më të madhe të sipërfaqes është krijuar një shtresë e rëndë, që po ua vret syrin qytetarëve, dhe e cila ka bërë të largohen, në një masë, edhe shpezët ujore që nuk ishin të pakta.

Kjo gjendje ka nxitur përplasje mes opozitës dhe ekzekutivit komunal për mënyrën e menaxhimit dhe mirëmbajtjes së liqenit.

Shefi i grupit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut, Shkëlqim Ibrahimi, ka kritikuar qeverisjen lokale për mungesë të ndërhyrjes dhe mirëmbajtjes në këtë zonë.

“Hapësira e Liqenit Akumulues të komunës së Mitrovicës është kthyer nga një hapësirë që ka tërhequr shumë vizitorë qoftë jashtë Mitrovicës, qoftë edhe në interesin e qytetarëve të Mitrovicës, është kthyer në një hapësirë të mbuluar me barishte që në vetvete realisht reflekton një mosndjeshmëri nga ekzekutivi aktual që ta mirëmbajë dhe ta përmbushë kauzën e saj të ardhjes në pushtet, ku është thirrur gjithmonë gjatë gjithë kohës në mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, rritjen e tyre dhe mirëmbajtjen e tyre që janë aktualisht nga qeverisjet e kaluara”, tha Shkëlqim Ibrahimi për KosovaPress.

Ibrahimi fajësoi pushtetin lokal që udhëhiqet nga Faton Peci se nuk po investon as në pajisjet për pastrimin e liqenit për dallim nga siç tha, kryetari i mëhershëm, Bedri Hamza, për të cilin tha se kishte bërë diçka të tillë.

“Një menaxhim i suksesshëm i liqenit akumulues sigurisht kërkon një konsistencë institucionale dhe, për rikujtim, në 8 vitet e qeverisjes së Vetëvendosjes nuk është bërë asnjë hap dhe investim në ndonjë pajisje konkrete për pastrimin e liqenit akumulues apo angazhimin e ndonjë kompanie profesionale, ndërsa në qeverisjen e kaluar Hamza ka blerë pajisja e cila është edhe sot aktive për pastrimin e liqenit akumulues dhe janë ndërmarrë hapat e duhur, kështu që në tri vitet e para të qeverisjes Hamza gjithmonë është pastruar dhe mirëmbajtur në kuadër të standardeve të liqenit akumulues, përveç vitit 2025 kur ka përfunduar kontrata dhe për shkak të vonesave në prokurim jemi vonuar në nënshkrimin e kontratës, pastaj është nënshkruar në fund kontrata dhe kontrata si e tillë është aktive”, tha ai.

Në komunë e kanë pranuar, në njëfarë mënyre, se gjendja te liqeni nuk është e mirë. Por, sipas zëdhënësit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Shkëlzen Haliti, kjo gjendje është trashëguar nga qeverisjet e mëparshme, ndërsa ka shtuar se janë ndërmarrë disa hapa për ndërhyrje dhe pastrim.

“Po, është e vërtetë, gjendja në Liqenin Akumulues nuk është e mirë. Kjo gjendje është trashëguar nga qeverisja paraprake, nuk dua të fajësoj, por kjo gjendje ka qenë edhe më herët, ndërsa në fundin e mandatit të qeverisjes paraprake ka qenë edhe makineria për pastrimin e këtyre barishteve e dëmtuar mjaft shumë. Ne e kemi riparuar dhe kemi filluar menjëherë largimin e barishteve prej Liqenit Akumulues, mirëpo niveli i ujit ka rënë shumë dhe nuk mund të pastrohet deri në fund të tokës për shkak se nuk mund të ndërhyjmë me makineri të rënda, që të mos dëmtohet flora dhe fauna. Kështu që aq sa kemi pasur mundësi e kemi pastruar, por vitin tjetër mendojmë të kemi një buxhet të planifikuar dhe të bëjmë një task-forcë që të merret vetëm me liqenin akumulues, ku do të përfshihen ekspertë, grupe nga ministria dhe komuna, të cilët do të bëjnë mbikëqyrjen dhe pastrimin në mënyrë sa më profesionale”, deklaroi Haliti.

Por, lideri komunal i PDK-së thotë se komuna duhet të respektojë kontratën ekzistuese dhe të mos thirret në gjendjen e trashëguar.

“Kështu që qeverisja aktuale nuk ka arsye të thirret në çështjet e trashëguara apo si është gjetur liqeni akumulues, por në kuadër të kontratës të merren hapat e duhur, të aktivizohet pajisja dhe të bëhet pastrimi i rregullt i liqenit akumulues dhe largimi i barishteve. Po ashtu, për shkak të linjës politike të kryetarit aktual të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, duhet të ketë koordinim institucional me ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenc”, e cila në shumë raste nuk siguron as nivelin minimal të ujit në liqen, ku shkaktohen dëme të mëdha në ekosistem dhe ngordhje masive të peshqve. Siç dihet, nëse uji qëndron dhe nuk lëviz, bëhet një nga stimuluesit kryesorë të rritjes së shpejtë të barishteve në liqen. Si përfundim, menaxhmenti aktual i komunës së Mitrovicës apo ekzekutivi e ka për obligim të ndërmarrë hapat e duhur, sepse nuk ka arsye të gjejë justifikime, pasi kontrata është aktive dhe mjetet janë të zotuara dhe kapacitetet janë të mjaftueshme, pajisja është për pastrim dhe duhet të bëhet koordinim me “Ibër-Lepencin” që të sigurohet nivel i mjaftueshëm i ujit në liqen”, deklaroi ai.

Ai ka kërkuar që Komuna e Mitrovicës, si organ kontraktues, të rrisë mbikëqyrjen mbi zbatimin e kontratës për pastrimin e Liqenit Akumulues dhe të sigurojë përmbushjen e detyrimeve nga operatorët e kontraktuar.

“Si përfundim, për një menaxhim të suksesshëm të mirëmbajtjes së liqenit akumulues në komunën e Mitrovicës kërkohet që organi kontraktues, në këtë rast Komuna e Mitrovicës, të përcjellë dhe të monitorojë respektimin e kontratës nga operatorët e kontraktuar dhe të shihet nëse ata janë duke i përmbushur detyrat në pastrimin e liqenit akumulues, pasi gjendja në terren tregon që nuk po respektohen detyrat. Kështu që duhet të ushtrohet presion te operatorët e kontraktuar që të ndërmarrin hapat e duhur në kuadër të kontratës për pastrimin e liqenit akumulues dhe largimin e barishteve, të shfrytëzohet pajisja ekzistuese dhe të respektohet kontrata. Po ashtu, duhet të iniciohen procedurat për kontratë të re para përfundimit të kontratës aktuale, që të ketë konsistencë në menaxhimin e pastërtisë së liqenit akumulues, sidomos në sezonin e verës, në këtë gjendje që nuk kemi qejf ta shohim as ne si opozitë e as qytetarët e komunës së Mitrovicës”, theksoi Ibrahimi.

Zëdhënësi i komunës ka thënë se barishtet në Liqenin Akumulues janë dukuri natyrore dhe jo pasojë e ndërhyrjes njerëzore.

“Këto barishte nuk janë shkaktuar nga dora e njeriut dhe nuk konsiderojmë që kanë dëmtuar diçka, ato vijnë natyrshëm, por nga aspekti i pastërtisë dhe estetik duhet të ndërhyhet në mënyrë profesionale. Ne kemi ndërhyrë aq sa kemi mundur dhe aq sa kemi kapacitete, por kjo ka qenë deri më tani, do të thotë prej vitit tjetër do të ketë trajtim krejt ndryshe”, tha ai.

Ai bëri të ditur se pastrimi i Liqenit Akumulues po realizohet me pajisjet ekzistuese, përmes dy anijeve të dedikuara për këtë qëllim, por sipas tij ndërhyrja mbetet e kufizuar për shkak të kushteve teknike.

“Ne vazhdimisht jemi duke shfrytëzuar atë anije dhe një anije tjetër më të vogël që po bën pastrimin e barishteve, por siç e thashë kjo nuk mund të bëhet nga bazamenti, për shkak se anijet nuk mund të ndërhyjnë deri në fundin e liqenit”, përfundoi Haliti.

Në vitin 2023, Komuna e Mitrovicës në ish-qeverisjen e Bedri Hamzës ka blerë një anije për pastrimin e liqenit artificial në vlerë prej 97 mijë e 828 euro.

Mjeti është prezantuar si investim shtesë për mirëmbajtjen e liqenit dhe si vlerë e shtuar për pastrimin e mbeturinave në këtë hapësirë ujore, mjet ky që dje është parë teksa pastronte.