Netanyahu planifikon ta vizitojë Washingtonin të hënën
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po planifikon ta vizitojë Washingtonin për t’u takuar me Presidentin Donald Trump që të hënën e ardhshme, sipas një burimi izraelit të njohur me çështjen, shkruan CNN. Burimi tha se dy liderët do të diskutojnë për Iranin dhe një marrëveshje të re sigurie mes Izraelit dhe SHBA-së. Marrëveshja aktuale mes dy…
Bota
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po planifikon ta vizitojë Washingtonin për t’u takuar me Presidentin Donald Trump që të hënën e ardhshme, sipas një burimi izraelit të njohur me çështjen, shkruan CNN.
Burimi tha se dy liderët do të diskutojnë për Iranin dhe një marrëveshje të re sigurie mes Izraelit dhe SHBA-së. Marrëveshja aktuale mes dy vendeve, sipas së cilës Izraeli merr 3.8 miliardë dollarë në vit, skadon në vitin 2028.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite do të jetë gjithashtu në rendin e ditës, tha burimi, duke shtuar se kjo ka qenë një përparësi për Trumpin. Udhëheqësit sauditë kanë bërë vazhdimisht të qartë se nuk do të ecin drejt normalizimit pa një rrugë të besueshme drejt krijimit të një shteti palestinez.
Dy liderët, të cilët nuk janë takuar personalisht që para luftës me Iranin, biseduan në telefon të premten në mbrëmje dhe ranë dakord të caktojnë një takim në të ardhmen e afërt. Në një intervistë për Axios të shtunën, Trump tha se Netanyahu “e di kush është shefi”.
CNN raportoi në mesin e qershorit se Netanyahu kishte kërkuar një takim “urgjent” me Trumpin mes rritjes së tensioneve lidhur me negociatat me Iranin dhe armëpushimin me Hezbollahun në Liban. Në atë kohë, Zyra e Kryeministrit e mohoi raportimin.