Shoqata e Qumështoreve kërkon kontrolle të rrepta: Të ndalohet përdorimi i vajit të palmës në fabrikat e qumështit
Shoqata e Qumështoreve të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të intensifikojnë kontrollet në fabrikat e përpunimit të qumështit, duke kërkuar ndalimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në këtë industri. Përmes një reagimi publik, shoqata tha se fermerët e Kosovës kanë bartur pasoja të mëdha ekonomike gjatë 12 viteve…
Lajme
Shoqata e Qumështoreve të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të intensifikojnë kontrollet në fabrikat e përpunimit të qumështit, duke kërkuar ndalimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në këtë industri.
Përmes një reagimi publik, shoqata tha se fermerët e Kosovës kanë bartur pasoja të mëdha ekonomike gjatë 12 viteve të fundit për shkak të përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në sektorin e qumështit, transmeton lajmi.net.
“AUV-i, Ministria e Bujqësisë dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse të vazhdojnë me vendosmëri dhe përkushtim kontrollet në të gjitha fabrikat e qumështit, kudo që ekziston dyshimi i bazuar se aty përpunohet me yndyrë palme dhe qumësht pluhur”, thuhet në reagim.
Shoqata thekson se përdorimi i vajit të palmës në ambientet e fabrikave paraqet rrezik edhe për produktet që nuk përmbajnë këtë përbërës, për shkak të ashtuquajturit kontaminim i kryqëzuar.
“Duhet pasur parasysh se në ambientet ku operohet me vaj palme grimcat mikroskopike do të jenë të pranishme edhe në produktet që nuk janë të përziera me vaj palme, për shkak të kontaminimit të kryqëzuar”, thuhet në njoftim.
Sipas shoqatës, përhapja e këtyre grimcave mund të ndodhë përmes sistemeve të ajrosjes, ventilimit, mjeteve të punës, veshjeve të personelit dhe faktorëve të tjerë, prandaj kërkohet që vaji i palmës të mos lejohet në fabrikat e qumështit.
Si zgjidhje, Shoqata e Qumështoreve propozon ndalimin e plotë të vajit të palmës në prodhimet e qumështit, ndërsa fabrikat që e kanë përdorur këtë përbërës t’i nënshtrohen dezinfektimit dhe sterilizimit të plotë, para se të rifillojnë prodhimin.
“Vaji i palmës larg tryezave tona në prodhimet e qumështit, kurse fabrikat që e kanë përdorur duhet dezinfektim dhe sterilizim total brenda dhe jashtë fabrikave në mënyrë që të fillojnë me prodhime qumështi të sigurta”, përfundon reagimi.
Njoftimi i plotë:
Fermerët e Kosovës kanë paguar kosto tepër të rëndë duke duruar gjatë 12 viteve të kaluara, për shkak të vajit të palmës dhe qumështit pluhur.
AUV- i ,Ministria e Bujqësisë dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse tē vazhdojnë me vendosmëri dhe përkushtim kontrollet në të gjitha fabrikat e qumështit kudo që ekziston dyshimi i bazuar se aty përpunohet me yndyrë palme dhe qumësht pluhur.
Duhet pasur parasysh se në ambientet ku operohet me vaj palme grimcat mikroskopike do të jenë të pranishme edhe në produktet, të cilat nuk janë të përziera me vaj palme, për shkak tē kontaminimit të kryqëzuar (Cross – Contamination).
Në këtë mënyrë produkti “pa vaj palme“ nuk mund t’i shmanget kontaminimit, sepse përhapja bëhet përmes : Sistemeve të ajrosjes, ventilimit, mjeteve të punës, rrobave, personelit etj, prandaj NUK duhet lejuar vajin e palmës në fabrikat e qumështit .
Zgjidhja: Vaji i palmës larg tryezave tona në prodhimet e qumështit, kurse fabrikat që e kanë përdorur duhet dezinfektim dhe sterilizim total brenda dhe jashtë fabrikave në mënyrë që të fillojnë me prodhime qumështi të sigurta./lajmi.net/