Serbia ia cakton 30 ditë paraburgim Osman Selmanit, familja mohon akuzat për krime lufte

Gjykata e Lartë në Beograd i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, i cili u arrestua nga autoritetet serbe më 1 korrik në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, teksa po kthehej nga vendlindja e tij. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Selmani dyshohet për kryerjen e krimeve…

Lajme

03/07/2026 17:33

Gjykata e Lartë në Beograd i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, i cili u arrestua nga autoritetet serbe më 1 korrik në pikëkalimin kufitar të Mutivodës, teksa po kthehej nga vendlindja e tij.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Selmani dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës gjatë konfliktit në Kosovë, transmeton lajmi.net.

Në njoftimin e MPB-së serbe thuhet se ekzistojnë dyshime se më 14 qershor 1999, në lagjen Sofali të Prishtinës, ai, “në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”.

Pas arrestimit në Mutivodë, Selmani u dërgua në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd, ndërsa më pas Gjykata e Lartë vendosi ndaj tij masën e paraburgimit njëmujor.

Megjithatë, në njoftimin e MPB-së serbe nuk specifikohet nëse Selmani ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Familja e Osman Selmanit ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat e ngritura nga autoritetet serbe, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të pavërteta.

“Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah. Ju falënderojmë nga zemra për çdo mbështetje, lutje dhe fjalë inkurajuese në këto momente të vështira për familjen tonë”, thuhet në reagimin e familjes.

Lidhur me këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar.

Vitet e fundit, autoritetet serbe kanë arrestuar në disa raste shtetas të Kosovës nën dyshimet për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998–1999. Këto raste kanë nxitur reagime të vazhdueshme nga institucionet dhe familjarët e të arrestuarve, të cilët i kanë kundërshtuar akuzat dhe kanë kërkuar trajtim të drejtë ligjor./lajmi.net/