Marrëveshje e re mes Kosovës dhe Shqipërisë, procedura më të thjeshta për punësim
Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për mobilitetin në punë, me synim lehtësimin e qasjes së qytetarëve të të dy vendeve në tregun e punës dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e punësimit. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Kosovës dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Republikës së…
Lajme
Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për mobilitetin në punë, me synim lehtësimin e qasjes së qytetarëve të të dy vendeve në tregun e punës dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e punësimit.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Kosovës dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Republikës së Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, gjatë takimit të parë bilateral në nivel ministror jashtë Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, marrëveshja synon të krijojë procedura më të thjeshta dhe më të shpejta për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas, duke zgjeruar mundësitë për zhvillim profesional dhe bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve.
Me këtë rast u theksua se marrëveshja forcon lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të më shumë mundësive për qytetarët, duke hequr pengesat administrative që mund të kufizojnë lëvizjen dhe punësimin.
Po ashtu, u vlerësua se dy shtetet nuk i bashkon vetëm historia dhe identiteti i përbashkët, por edhe përgjegjësia për të ndërtuar një të ardhme me më shumë mundësi për qytetarët e tyre.