Kurti: Që të bëjmë sa më pak analiza pacientësh në spitale është e nevojshme të kemi sa më shumë analiza ushqimesh

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve. Kjo deklaratë e tij erdhi vetëm një ditë pasi kompania “VITA” mbylli përkohësisht qumështoren e saj pas një inspektimi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). “Që të bëjmë sa më pak, mundësisht aspak analiza pacientësh në…

Lajme

03/07/2026 13:55

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve.

Kjo deklaratë e tij erdhi vetëm një ditë pasi kompania “VITA” mbylli përkohësisht qumështoren e saj pas një inspektimi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

“Që të bëjmë sa më pak, mundësisht aspak analiza pacientësh në spitale është e nevojshme të kemi sa më shumë, gjithnjë e më shumë analiza ushqimesh që na servohen”- tha Kurti në ceremoninë zyrtare e shpalljes së përfituesve të Skemës së Granteve për Investime – LOT 1, në kuadër të projektit “Mbështetje për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve”, e cila zbatohet në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane, përmes GIZ-it.Kurti tha se suksesi i fermerëve, prodhuesve dhe sipërmarrësve tanë është edhe suksesi i Republikës së Kosovës.

“Bujqësia nuk është vetëm një sektor tradicional, por është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit e të rritjes ekonomike, të sigurisë ushqimore e të ekonomisë prodhuese. Çdo investim në fermerët dhe prodhuesit tanë është investim në një Kosovë që prodhon më shumë, përpunon më shumë, eksporton më shumë dhe krijon më shumë vende pune. Për ne bujqësia është një çështje e sovranitetit ushqimor. Çdo fermë që rrit prodhimin vendor e bën Kosovën më konkurruese, më pak të varur nga importet dhe më të përgatitur për sfidat ekonomike të së ardhmes. Partneriteti ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë përmes GIZ-it ka qenë për më shumë se dy dekada një nga partneritetet më të rëndësishme për zhvillimin e sektorit tonë bujqësor. Ky bashkëpunim ka mbështetur investimet, forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e politikave moderne në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Kurti.

“Prandaj, do t’ju mbështesim për standardizim e certifikim. Cilësia dhe ligjshmëria janë hovi i ardhshëm i shtimit të eksporteve, i zëvendësimit të importeve dhe i konkurrueshmërisë evropiane”- shtoi ai.

AUV, një ditë më parë ka thënë se nuk kanë marrë vendim për mbyllje të fabrikës “VITA”.Në njoftimin zyrtar AUV thekson se në bazë të verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit dhe inspektimit të linjave të prodhimit, janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi.

“AUV sqaron se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e subjektit. Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi”- ka thënë AUV.

Gjatë inspektimit AUV njofton se kanë marrë mostra të qumështit UHT me afat të gjatë përdorimi, si dhe mostra të qumështit pluhur dhe vajit të palmës, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike.

“Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Po ashtu, subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme”- bënë të ditur AUV.

Ky institucion ka konstatuar se subjekti nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi për qëllime të deklaruara në etiketim, ndërsa disa elemente të procesit kërkojnë vlerësim të mëtejshëm nga autoritetet kompetente.

“Gjatë kontrollit janë marrë mostra zyrtare për analiza laboratorike, rezultatet e të cilave do të shërbejnë për veprimet e mëtejshme administrative dhe ligjore. Pas përfundimit të procedurës inspektuese, subjektit i është lënë vendim për të respektuar dhe zbatuar kërkesat e legjislacionit në fuqi, përfshirë udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore”- thuhet në njoftimin e AUV.Drejtori gjeneral i fabrikës “VITA”, Artan Spahia, para mediave ka thënë se pas një inspektimi të kryer sot më 02.07.2026 nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë marrë vendim ta mbyllin fabrikën për një afat shtatëditor.“Sot e mbyllim fabrikën deri në njoftimin e radhës. Vendimi është që të mbyllet deri sa ata të dalin me një vendim me rezultatet. Ne i kemi kontrollet e analizat të gjitha. Fermerë ju kërkojmë falje por ministri në detyrë është ai që po ju mbyll juve e po ju falimenton. Shpresoj që të kthehemi pas shtatë dite. Nga sot, qumështorja “VITA” nuk punon dhe nuk pranon qumësht”- ka thënë ai më 02.07.2026.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, përmes një postimi ka thënë se “kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore njëjtë edhe kjo sot në kompaninë ‘Vita’”.

“Qëllimi i vetëm i këtyre kontrolleve është mbrojtja e interesit publik. Ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e ushqimit, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar kushte të drejta për prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin”- ka shkruar Muja.