Haxhiu: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik, oficerët e rinj të FSK-së nisin përgjegjësi të reja
Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik i vendit, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës po ndërton kapacitete profesionale në përputhje me standardet më të larta euroatlantike. Kështu deklaroi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 2026. Haxhiu tha se sakrifica…
Lajme
Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik i vendit, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës po ndërton kapacitete profesionale në përputhje me standardet më të larta euroatlantike.
Kështu deklaroi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 2026.
Haxhiu tha se sakrifica e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbeten themelet e lirisë së Kosovës, ndërsa u bëri thirrje oficerëve të rinj që ta ushtrojnë detyrën me ndershmëri, integritet dhe përgjegjësi.
“Kjo ditë u përket në radhë të parë sigurisht juve, kadetë. U përket familjeve tuaja, të cilat i falënderoj nga zemra për mundin, disiplinën dhe edukimin që ju kanë dhënë. I përket akademisë që ju ka përgatitur dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot merr në radhët e saj oficerë të rinj, të përgatitur për përgjegjësi më të mëdha të jetës së tyre”, tha ajo.
Haxhiu tha se diplomimi shënon fillimin e një përgjegjësie të re për oficerët e rinj, të cilët gjatë katër viteve kanë kaluar një proces të plotë akademik dhe ushtarak.
“Të dashur kadetë dhe nga sot oficerë të rinj. Me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis një përgjegjësi e jashtëzakonshme si oficerë të Republikës. Katër vite më parë, ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe me vullnet të palëkundur për t’i shërbyer atdheut. Gjatë këtyre viteve, përmes programit të integruar akademik dhe ushtarak, keni përfituar njohuri universitare dhe njëkohësisht keni kaluar përmes edukimit, stërvitjes dhe formimit ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Formimi që keni marrë ka ngulitur disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri. Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë rritur pritshmëritë ndaj njerëzve që dinë të mendojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë shpejt e me integritet”, tha ajo.
Ajo theksoi se grada ushtarake bart përgjegjësi dhe duhet të justifikohet me profesionalizëm e integritet.
“Gradat që do të mbani në supet tuaja nga sot nuk janë thjesht dekorim në uniformën tuaj. Një oficer fiton besim me sjellje, me ndershmëri, me kujdesin ndaj njerëzve që i besohen dhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe atëherë kur vendimet mund të jenë të vështira”, tha ajo.