Armend Muja pas mbylljes së qumështores “Vita”: Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka reaguar pas kontrolleve të zhvilluara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në kompaninë “Vita”, duke thënë se veprimet janë pjesë e mandatit të rregullt ligjor të institucionit. Muja theksoi se siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë operatorët ekonomikë dhe…

Lajme

02/07/2026 19:03

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka reaguar pas kontrolleve të zhvilluara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në kompaninë “Vita”, duke thënë se veprimet janë pjesë e mandatit të rregullt ligjor të institucionit.

Muja theksoi se siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë operatorët ekonomikë dhe se qytetarët kanë të drejtë të dinë cilësinë e produkteve që konsumojnë, raporton lajmi.net

Ai bëri të ditur se kontrollet e AUV-së në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit kanë për qëllim verifikimin e respektimit të legjislacionit në fuqi, standardeve të sigurisë ushqimore, si dhe përputhshmërisë së operatorëve me kërkesat ligjore.

Postimi i tij i plotë:

Siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë. Qytetarët tanë duhet të dinë se çka hanë e çka pinë për të cilat edhe paguajnë.
Kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Njëjtë edhe kjo sot në kompaninë ‘Vita’
Këto veprime kryhen për të verifikuar respektimin e protokolleve të prodhimit, shkallën e zbatimit të normave ligjore, licencave dhe autorizimeve, si dhe përputhshmërinë e operatorëve ekonomik me kërkesat ligjore.
Qëllimi i vetëm i këtyre kontrolleve është mbrojtja e interesit publik. Ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e ushqimit, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar kushte të drejta për prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin.
AUV ushtron të njëjtin mandat në të gjitha segmentet e industrisë ushqimore. Kontrollet zyrtare zhvillohen ndaj operatorëve ekonomik pa dallim sektori, madhësie apo pozite në treg, sepse zbatimi i ligjit duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.
Një sistem i besueshëm i kontrollit ushqimor ndërton besim te konsumatorët, mbron prodhimin vendor dhe forcon konkurrencën e ndershme në treg. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin./Lajmi.net/