​“Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, mbi 1700 gjoba për tejkalim të shpejtësisë në rajonin e Ferizaj

Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar kontrollet në trafik gjatë muajit qershor, duke shqiptuar gjithsej 1744 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke tejkaluar kufizimet e lejuara të shpejtësisë. Në komunikatën për media bëhet e ditur se ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, me moton “Mos e…

Lajme

02/07/2026 09:29

Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar kontrollet në trafik gjatë muajit qershor, duke shqiptuar gjithsej 1744 gjoba ndaj shoferëve që janë kapur duke tejkaluar kufizimet e lejuara të shpejtësisë.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Shpejtësia nuk është aftësi, është rrezik”, me moton “Mos e mat jetën me kilometra në orë”, i cili synon ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve për rreziqet që sjell shpejtësia e papërshtatshme në komunikacion.

Po aty, Policia nënvizon faktin se tejkalimi i shpejtësisë mbetet një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, duke rrezikuar jetën e shoferëve, pasagjerëve dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Në apelin drejtuar qytetarëve, policia e Ferizajt iu bën thirrje shoferëve të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të përshtatin ngasjen me kushtet e rrugës.

“Shpejtësia e papërshtatshme rrezikon drejtpërdrejt jetën e shoferit dhe të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Respektoni kufizimet e shpejtësisë dhe përshtatni ngasjen me kushtet e rrugës, pasi një moment pakujdesie mund të ketë pasoja në njerëz. Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve rrugore”, thuhet në njoftim.