Kurti: Dokumentimi i krimeve të luftës është themel për drejtësi dhe kujtesë shtetërore

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin konsultativ, të ftuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, në të cilin përfaqësues të institucioneve relevante, nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Prishtinës, tek ekspertë dhe organizata, diskutuan lidhur me versionin fillestar të listës preliminare të viktimave…

Lajme

01/07/2026 17:10

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin konsultativ, të ftuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, në të cilin përfaqësues të institucioneve relevante, nga Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Prishtinës, tek ekspertë dhe organizata, diskutuan lidhur me versionin fillestar të listës preliminare të viktimave të luftës së fundit në Kosovë dhe plotësimet e nevojshme.

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

E nderuara znj. Saranda Bogujevci, Ministre e Kulturës dhe Turizmit,

I nderuari z. Andin Hoti, Ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare,

I nderuari z. Atdhe Hetemi, Drejtor i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë,

I nderuari profesor, Arben Hajrullahu, Rektor i Universitetit të Prishtinës,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Mirë se keni ardhur dhe mirë se e gjejmë njëri-tjetrin, sot, për të biseduar për domosdoshmërinë e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ndërtimin e një evidence shtetërore të besueshme për viktimat e saj.

Kjo detyrë e jona lidhet me kujtesën, me drejtësinë, me dinjitetin e viktimave dhe me mënyrën se si Republika e Kosovës e ndërton raportin e saj me të kaluarën dhe me të ardhmen.

Populli ynë ka përjetuar luftë, dëbim, masakra, dhunë sistematike, zhdukje me forcë dhe shkatërrim të organizuar. Këto nuk janë kujtime të largëta dhe as tema që mund të mbyllen me kalimin e kohës. Janë fakte historike, politike dhe njerëzore që kanë përcaktuar jetën e mijëra familjeve dhe rrugën e shtetit tonë drejt lirisë.

Krimet e Serbisë në Kosovë, karakteri dhe përmasat gjenocidale të dhunës shtetërore dhe përpjekja për ta zhbërë praninë shqiptare nga vendi ynë, kërkojnë trajtim serioz, institucional dhe të vazhdueshëm. Nuk mjafton që ne ta dimë çfarë ka ndodhur. Duhet ta dokumentojmë, duhet ta verifikojmë dhe duhet ta ruajmë. Duhet ta bëjmë të qasshme për drejtësinë, por edhe për brezat që do të vijnë pas nesh.

Me këtë bindje, në nëntor të vitit 2023, Qeveria e Republikës së Kosovës e themeloi Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Për më shumë se dy dekada janë bërë punë të rëndësishme nga institucione, organizata vendore e ndërkombëtare, studiues, aktivistë, familjarë të viktimave dhe njerëz, të cilët i kanë ruajtur dëshmitë shpeshherë në kushte shumë të vështira. Ajo punë meriton mirënjohje. Instituti është ndërtuar mbi atë bazë. Detyra e tij është ta forcojë, ta sistemojë dhe ta institucionalizojë këtë trashëgimi. Instituti përveç se është një strukturë shtetërore përfaqëson edhe ndërgjegjen tonë kolektive, duke kthyer dhimbjen në kujtesë, kujtesën në dëshmi, dëshminë si kusht për drejtësi dhe drejtësinë në themel të paqes.

Shteti nuk mund të mbështetet vetëm në kujtesë individuale, sado të shumta e të mira të jenë ato. Kujtesa është e çmuar, por ajo duhet të mbrohet me dokumente. Emrat, datat, vendet, dëshmitë, burimet, arkivat dhe provat, duhet të lidhen në një sistem të besueshëm. Vetëm kështu e vërteta bëhet e qëndrueshme ndaj mohimit, relativizimit dhe propagandës.

Fqinji ynë verior, i vetëshpallur armik i Republikës dhe i popullit tonë, vazhdon të mos përballet me të kaluarën e saj gjenocidale. Për këtë arsye, puna jonë duhet të jetë edhe më e saktë. Sa më i fortë dokumentimi, aq më e dobët bëhet gënjeshtra. Sa më e qartë evidenca, aq më e vështirë bëhet fshirja e përgjegjësisë. Sa më serioz shteti ynë, aq më e fortë bëhet e vërteta jonë edhe në arenën ndërkombëtare.

Takimi i sotëm ka rëndësi të veçantë, sepse prezantohet lista preliminare e viktimave të luftës në Kosovë. Kjo listë është rezultat i një procesi më shumë se dyvjeçar të mbledhjes, krahasimit dhe të verifikimit të të dhënave. Në këtë punë, saktësia ka një peshë të posaçme. Secili emër në këtë listë përfaqëson një jetë të humbur, një familje të goditur dhe një pjesë të historisë sonë. Prandaj, çdo e dhënë duhet të trajtohet me kujdes. Respekti ndaj viktimave nuk shprehet vetëm me fjalë; shprehet edhe me seriozitetin, me të cilin shteti i dokumenton emrat, rrethanat dhe të vërtetën për fatin e tyre.

Dokumentimi ka rëndësi edhe për drejtësinë. Krimet e kryera gjatë luftës nuk mund të mbeten vetëm në kujtesë. Ato duhet të jenë pjesë e dosjeve, arkivave, hetimeve, proceseve të drejtësisë dhe punës institucionale për zbardhjen e plotë të asaj çfarë ka ndodhur. Një shtet që kërkon drejtësi duhet të ndërtojë bazën faktike për të. Kjo bazë ndërtohet me hulumtim, me dokumentim dhe me verifikim të qëndrueshëm.

Kosova është e përkushtuar për paqe, për siguri dhe për bashkëpunim rajonal. Mirëpo, paqja e qëndrueshme dhe siguria për të gjithë, kërkon ballafaqim me të vërtetën. Mohimi i krimeve, relativizimi i përgjegjësisë dhe fshehja e të dhënave për personat e zhdukur me dhunë, nuk i shërbejnë as paqes, as drejtësisë, as sigurisë dhe as të ardhmes së rajonit. Serbia duhet të përballet me krimet e kryera në Kosovë, të hap arkivat dhe të veprojë në frymën e pendesës e të bashkëpunimit, për të cilin është obliguar me Deklaratën e 2 majit të vitit 2023 nga Brukseli. Fshehja e krimeve përmes klasifikimit të tyre për dekada të tëra, nuk i shërben normalizimit të marrëdhënieve, bashkëpunimit e as paqes në rajon.

Republika e Kosovës do të vazhdojë ta bëjë pjesën e saj me seriozitet. Do të dokumentojë, do të hulumtojë, do të vërtetojë dhe do ta ruajë kujtesën shtetërore mbi bazën e fakteve. Ky është një proces afatgjatë, i cili kërkon institucione të qëndrueshme, bashkëpunim ndërmjet sektorëve dhe përkushtim të vazhdueshëm.

Synimi ynë është i qartë: ajo që ka përjetuar populli ynë duhet të ruhet me dinjitet, të dokumentohet me saktësi dhe të shërbejë për drejtësi, të bëhet dije për brezat në vijim dhe kujtesë kolektive e jona. E vërteta ka nevojë për prova, për institucione dhe për vendosmëri.

Për praninë tuaj, për punën që keni bërë deri më sot dhe për kontributin që do ta jepni në këtë proces, ju faleminderit të gjithëve.